TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Fatos Lubonja teksa komentoi vizitën e Bill Clinton, në Tiranë, pohoi se kryeministri Edi Rama e përdori ish-presidentin e SHBA-ve. Lubonja tha se u ndje i keqardhur kur shikoi popullin e tij teksa e priste Clinton sikur “Zoti të kishte shkelur mbi tokë”.
“U ndjeva keq për popullin shqiptar, sepse mu kujtua ajo koha kur vinte Hrushov… kur mblidhej gjithë populli dhe priteshin sikur kishte ardhur Zoti mbi tokë. Kjo ishte fryma, një popull që i shpëlahen trutë, një provincë e mjerë që nuk ka zhvilluar dot një mendim kritik. Mban një fjalim të turpshëm për mendimin tim për shkak të përmbajtjes, por më turp më erdhi kur rreshtuan ata fëmijët e shkretë me emrat Hillary dhe Clinton. Fatkeqësia është që ka njerëz që u duket shumë e bukur kjo, por mua më kujtoi ata fëmijët që merrnin emrin e Stalinit, Hilterit, dhe nuk kanë emrat e gjyshërve të tyre. Duhet të jesh shumë vend i papjekur për të bërë këto akte”, u shpreh ai në News24.
Sipas tij, vizita e Clinton i ka shërbyer vetëm Edi Ramës dhe politikave të tij aktuale, lidhur me krizën që po ndodh në Kosovë. “Kjo vizitë i shërbeu kryeministrit Rama, dhe politikave të tij që në momentin aktual janë të përqendruara për të kundërshtuar dhe luftuar Albin Kurtin, i cili përfaqëson një pushtet që është në kundërshtim me pushtetin që mban në këmbë Edi Ramën, që janë oligarkia, krimi i organizuar, mediat ku investojnë dhe partnerët ndërkombëtar”, tha Lubonja. Mesazhet për Kosovën që Clinton dha, Lubonja i cilësoi si keqinformime dhe se duhej që të kishte trajtuar të dyja palët e konfliktit, pra edhe Serbinë.
“E pash të keqinformuar Clinton, për të mos thënë të keqpërdorur me atë që po ndodh në Kosovë, dhe se kush janë shakatarët e asaj krize. Në këtë konflikt duhej trajtuar dy palët, por kur ke një kryeministër që në vend të mbajë një qëndrim afër Kosovës… ky ka hall ta përdorë duke shfrytëzuar këtë krizë në Kosovë, kur Kurti në thelbin e vet ka një qëndrim të drejtë që duhet mbështetur. U bë sikur erdhi Zoti dhe solli lirinë.”, pohoi Lubonja.