AKTUALITET, 4 Korrik 2023, 14:28

"Kuotat më të larta i ka Gjergj Hani", mbështetësi i Bashës flet për kryetarin e ri të PD-së

"Kuotat më të larta i ka Gjergj Hani", mbështetësi
Fotomontazh: Basha, Hani dhe Agalliu

Deputeti i Partisë Demokratike Arbi Agalliu, i njohur si përkrahës i ish-kryetarit Lulzim Basha, u shpreh sot se gjithkush ishte i lirë që të kandidonte për kryetar i PD-së, proces që pritet të mbyllet më 29 korrik. Ai shtoi, duke cituar deklaratën e ambasadores amerikane Yuri Kim, se SHBA-të i kishin paralajmëruar demokratët që të hapin shenja ndryshimi ose ndryshe do të hanin bar.

"Çdokush kishte mundësinë që të kandidonte. Të gjithëve ne nuk na pengoi askush 1 vit e gjysmë për ta tërhequr partinë. Ne zgjodhëm një rrugë të mesme. Ambasadorja e SHBA-së, pra vetë SHBA i ka paralajmëruar demokratët: jepni shenja ndryshimi ndryshe do të hani bar. Ishte shumë e rëndë e thënë në oborrin e një partie! PD rrezikonte edhe ekzistencën e saj! Më 29 korrik ka zgjedhje. Ka një pritshmëri pasi përballet një individ si Basha dhe një individ si Hani, kuotat më të larta i ka Gjergj Hani.’- tha Arbi Agalliu.

Sipas Agalliut zgjedhjet vendore të 14 majit treguan se shqiptarët nuk e duan dyshen Berisha-Meta. Agalliu shtoi se Basha e bëri një hap pas e se nuk ishte aktiv në Partinë demokratike.

‘Zgjedhjet treguan se Ilir Meta me Sali Berishën morën 240 mijë vota, ndërsa PD mori 110 mijë vota. Shqiptarë nuk mund të themi sot se pas 30 vitesh janë të njëjtët aktorë alternativa e këtij vendi.

Shqiptarët kanë treguar me votën e tyre se nuk e duan. Dyshen klasike Meta-Berisha shqiptarët nuk e duan. Ndaj është koha për të reflektuar. Basha e bëri një hap pas, ishte inekzistent në aktivitetin politik. Basha një vit e gjysmë kurrë në asnjë rast personalisht nuk ka pasur një ndikim. Ajo që dua unë sot në 2023 një zhvillim të pandërprerë krah për krah aleatëve strategjikë. Kjo është simbol është shenjë është mesazh i hapur.’- tha Agalliu në Report TV.