AKTUALITET, 22 Korrik 2025, 15:58

U arrestua për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas në Larushkë, shuhet masa për Edison Haxhiun

U arrestua për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas në Larushkë, shuhet

Gjykata e Tiranës shuan masën e arrestit me burg për Edison Haxhiun i akuzuar për atentatin ndaj Gentjan Bejtjas në fshatin Larushkë të Fushë Krujës.

Masa për Haxhiun u shua për tejkalim të afateve, duke i dhënë kështu atij lirinë. Haxhiu akuzohet si bashkëpunëtor i Ilir Beqarajt, ky i fundit nën akuzë për vrasjen e Gentjan Bejtjas.

Ndaj Edison Haxhiut, Prokuroria e Tiranës kishte ngritur akuzë për krijim të kushteve për të kryer vrasje. Kërkesa për shuarjen e masës u bë nga avokati Sokol Tahiraj.

Gentjan Bejtja u ekzekutua me breshwri automatiku, pasditen e 15 marsit 2023, brenda serës me domate në oborrin e shtëpisë. Nga makina “Land Rover Discover” që u ndal te porta e oborrit të banesës zbritën 3 persona, të cilët hynë qetësisht dhe zbrazën breshëri plumbash drejt tij dhe po aq qetësisht u larguan. Hetuesit zbuluan se drejt 43-vjeçarit u qëllua nga 3 armë zjarri kallashnikovë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.