AKTUALITET, 19 Shtator 2023, 20:30

U aksidentua në Pogradec, ndërron jetë në spitalin e Traumës 31-vjeçarja italiane

U aksidentua në Pogradec, ndërron jetë në spitalin e

Një aksident automobilistik ka ndodhur ditën e sotme pranë Pogradecit, ku një motor u përplas nga një kamionçinë.

Mësohet se 31-vjeçarja italiane e cila udhëtonte me motorin ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, ku u transportua pas përplasjes.

Sakaq, policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit tip “Benz” që përplasi turisten italiane.

Njoftimi i policisë:

Vihet në pranga drejtuesi i automjetit, i përfshirë në aksidentin e ndodhur pasditen e sotme, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesja e motomjetit.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e sotme, për një aksident rrugor ju informojmë se specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë, arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në aksin rrugor “Pogradec-Lin”, pranë fshatit Udënisht, Pogradec, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, është përplasur me një motomjet me drejtuese shtetasen italiane E. R., 31 vjeçe, banuese në Milano, Itali, e cila pas ndihmës mjekësore të marrë në spitalin e Korçës, u transportua në spitalin e Traumës Tiranë, ku ka ndërruar jetë.

Nga ana e Policisë po kryhen veprimet hetimore dhe po punohet për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.