TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Arlind Qori, kryetar i Lëvizja Bashkë, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku foli për lëvizjen që drejton, e cila arriti të marrë rreth 5% të votave në zgjedhjet lokale në Tiranë, rezultat i konsideruar surprizë në politikën shqiptare.
Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, u pyet nga Ylli Rakipi për të pasurit e Shqipërisë, të cilët shpesh e shohin me dyshim dhe frikë këtë lëvizje, për shkak të retorikës kundër oligarkëve dhe në favor të taksave të larta për këtë kategori.
Pjesë nga biseda në studio:
Ylli Rakipi: Ç’mendoni për të pasurit e Shqipërisë? Të pasurit kanë frikë nga ju. Ka disa lloj të pasurish.
Arlind Qori: Më ka ndodhur gjatë kësaj fushate që kam takuar sipërmarrës. Varet si e përkufizojmë pasurinë. Njerëz që kanë sipërmarrje produktive që punësojnë dhjetëra punëtorë dhe kam parë që kanë patur interes në fushatën tonë. E kemi diskutuar hapur. Teza ime është që shteti duhet të përkrahë bizneset produktive, që prodhojnë vlerë më të lartë. Në parim mendoj se të pasurit duhet të paguajnë më shumë taksa.
Një pjesë e të pasurve, mbase do të donin një lëvizje si “Lëvizja Bashkë”, që do t’i taksonte më shumë, në kuptimin e fitimeve të tyre të ligjshme, por ama do t’ju hiqte haraçin e korrupsionit, të një mijë e një abuzimeve që burokracia politike u vendos.
Nëse je biznesmen i ndershëm, ndoshta e ke më kollaj të paguash 5% më shumë taksë dhe të heqësh nga kurrizi 20-30% haraç nga ministri, kryeministri, etj.
“Lëvizja Bashkë” është lëvizje e njerëzve të thjeshtë, punëtorë, shtresës së mesme, por nuk e përjashtoj faktin që edhe individë apo pjesë të caktuara të sipërmarrjes, mund të kenë interes për këtë lloj zhvillimi të Shqipërisë.
Ylli Rakipi: A mund të jesh edhe i ndershëm edhe i pasur në Shqipëri?
Arlind Qori: Është shumë e vështirë. Të jesh oligark dhe i ndershëm jo, nuk bëhet fjalë.
Por, ka njerëz, që punojnë 10-15 vjet në emigracion, kanë hapur restorant, kanë fituar çdo vit e më shumë, e konsideron njeri të ndershëm dhe që duhet respektuar. Ama, nëse ka hapur një sipërmarrje tjetër dhe aty, përmes degradimit të kushteve në punë, i kanë vdekur punëtorë, nuk mund t’i them sipërmarrës i ndershëm një pronari galerie që çdo vit i vdesin minatorë, apo një ndërtuesi që i vdesin punëtorët dhe i fsheh, apo korrupton kryetarin e bashkisë për të marrë një leje.
Ylli Rakipi: A mund të jetë një i pasur pjesë e lëvizjes tuaj?
Arlind Qori: Në historinë e së majtës, ka patur njerëz të pasur që kanë kontribuar.
Një pjesë e sipërmarrësve që kanë aktivitet produktiv, që u intereson modernizimi i Shqipërisë, mund të shohin me sy pozitiv Lëvizjen Bashkë.