AKTUALITET, 19 Prill 2025, 14:42

"Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve perëndimore", Imzot Arjan Dodaj mesazh për Pashkët: Të ringjallin shpresën për një të ardhme sa më të mirë dhe në paqe

"Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve

Besimtarët katolikë dhe ortodoksë do të festojnë nesër Pashkët ku këtë Pashkët katolike përkojnë me ato ortodokse. Në vigjilje të kësaj feste nuk kanë munguar as urimet nga figura të njohura të institucioneve fetare. Imzot Arjan Dodaj ka ndarë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët. Ai u shpreh se ashtu siç Krishti u ringjall edhe njerëzit duhet të ringjallin shpresën për një të ardhme sa më të mirë dhe në paqe.

"Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve perëndimore dhe mos t’i pranojmë me sipërfaqësi. Mesazhi dhe angazhimi i parë jo vetëm i fesë, por i gjithë institucioneve duhet të jetë pro institucionit të hershëm që është: institucioni Hyjnor, i jetës dhe i familjes. Zoti e krijoi njeriun burrë e grua. I bekoi dhe i tha: shtohuni dhe shumohuni, mbusheni tokën dhe sundojeni atë. Urimi i kësaj feste është që kombi shqiptar të vijojë në trashëgiminë e këtij bekimi hyjnor për familjen dhe rininë shqiptare. Sikurse ndër shekuj pavarësisht padrejtësive që kemi përjetuar kanë ditur të na e përcjellin të bukur e të pastër breznitë të hershme.

Të bëhemi bashkë për të kultivuar punën e ndershme që është fryti i njeriut që nuk e ka më të varrosur ndërgjegjen, përkundrazi nuk ka kurrë frikë ta dëgjojë atë. Të bëjmë në mënyrë që Shqipëria të jetë e të gjithëve me pasuritë e saj të larmishme natyrore, shpirtërore, kulturore, artistike etj. Sepse në këto vite jo rrallë herë për përfitimin e një pakice kemi humbur thesare që nuk kthehen më. Krishti është ringjallur, të ringjallim edhe ne shpresën për një  të ardhme më me plot jetë entuzuiazëm, paqe dhe harmoni mes nesh. Gëzuar për shumë mot Pashkët”, u shpreh Izmot Arjan Dodaj.