AKTUALITET, 27 Janar 2026, 11:19

Spiropali: I qëndruam kodit të besës. Shpëtimi i hebrenjve, maja morale e historisë sonë. Dimë të promovojmë paqen, jemi në anën e duhur të historisë

Spiropali: I qëndruam kodit të besës. Shpëtimi i hebrenjve,

Në ceremoninë zyrtare përkujtimore të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të viktimave të Holokaustit sot në 27 janar, ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë historike dhe morale të rolit të shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve dhe angazhimin e vendit për paqe dhe respekt universal.

Spiropali nënvizoi se shqiptarët i qëndruan kodit të besës, duke kujtuar normën e fortë kulturore, që i shtynë paraardhësit tanë të mbronin hebrenjtë nga nazizmi. Ajo theksoi se ky kod moral ishte një nga shtyllat e mbrojtjes së mijëra hebrenjve gjatë Holokaustit dhe tregoi guximin e shqiptarëve që shpëtuan edhe gra shtatzëna, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre.

Ajo gjithashtu përmendi rëndësinë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, duke kujtuar se fetë kanë bashkëjetuar gjithmonë në vendin tonë. “Kjo është një nga arsyet përse Shqipëria është pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë ndërkombëtare që promovon dialogun dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve, duke vendosur vendin në anën e duhur të historisë”, u shpreh Spiropali.

Ministrja gjithashtu foli për nevojën e kujtesës historike, si mjet për të parandaluar format moderne të urrejtjes, antisemitizmit dhe diskriminimit. “Ne duhet të reflektojmë jo vetëm mbi të shkuarën, por mbi përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një të ardhme më humane, kudo ku lufta dhe urrejtja po shkatërrojnë jetë njerëzish”.

Aktiviteti i përkujtimit përfshinte edhe simbolikën e mbjelljes së ullinjve, simbol i paqes dhe shpresës për një botë ku të drejtat e njeriut respektohen pa kompromis. Spiropali theksoi se ky simbol duhet të na shoqërojë në çdo hap drejt pajtimit ndërkombëtar dhe bashkëjetesës.

Spiropali nënvizoi se Shqipëria ka treguar botës se di të promovojë paqen dhe se përkushtimi ndaj vlerave universale dhe humanizmit nuk është vetëm pjesë e historisë së vendit, por edhe udhërrëfyes për rolin që vendi ynë synon të luajë në arenën ndërkombëtare në dekadat që vijnë.

Kreu i dipolomacise shqiptare, Spiropali risolli në vëmendje fjalën e Kryeministrit Rama në Parlamentin e Izraelit për të dëshmuar forcën e humanizmit të shqiptarëve me aktin e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Dje, në seancën historike të mbajtur në Knesset, Kryeministri Edi Rama riktheu në vëmendjen e të gjithëve shembullin e jashtëzakonshëm të dritës shqiptare gjatë kapitullit më të errët të njerëzimit, Holokaustit. ‘Arin po, hebrenjtë jo’, ishte në vitin 1943, përgjigja e dhënë përballë ultimatumit të Gjermanisë Naziste, nga populli dhe autoritetet shqiptare. Shqipëria, ishte i vetmi vend në Europë, që përfundoi luftën me 15-fish më shumë hebrenj nga sa e nisi. Në një kohë kur edhe vende shumë më të pasura e të ashtuquajtura më të qytetëruara ranë pre e një flame totalitare që i zhveshi nga kodet njerëzore e morale, Shqipëria pikërisht në kodin e saj moral gjeti forcën për të mbrojtur të ndryshmin dhe për të nderuar jetën. Ne jemi krenarë për këtë majë morale që meriton të dëshmohet kudo, por që nuk është e vetmja në historinë tonë të strehimit dhe mbrojtjes së të huajve e të njerëzve në nevojë“, tha Spiropali.

Sipas Ministres së Jashtme, “orientimi ynë i drejtë, qasja jonë parimore dhe kontributi përtej madhësisë së vendit e numrit të popullsisë në politikën tonë të jashtme, e organizmat ndërkombëtarë e ka bërë Shqipërinë një partner e aleat të vlerësuar e të besueshëm.”

“Shqipëria vendosi t’i bashkohet Kartës së Bordit të Paqes së Presidentit Trump përmes pjesëmarrjes së Kryeministrit Rama. Si një vend që dalë nga errësira e totalitarizmit, me një vëllazëri fetare shembullore dhe pa çarje etnike, Shqipëria ka ç’i dëshmon e ofron botës edhe në këtë format me qëllime fisnike për zgjidhjen e konflikteve të vjetra e të reja. Duke nisur nga Gaza, në një vend e rajon që ka vuajtur shumë nga ekstremizmi, ideologjitë e urrejtjes, terrorizmi e lufta, e ku paqja e qëndrueshme, pajtimi e rindërtimi duhet të jenë zgjidhje e vetme për izraelitët, palestinezët e të gjithë popujt e Lindjes së Mesme. Në një botë që po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, ku konfliket e vjetra në vend të shuhen po intensifikohen, Shqipëria i ka qëndruar dhe do i qëndrojë busullës së saj morale dhe vlerave universale që na bashkojnë“, nënvijëzoi Spiropali.

Në ceremoni u publikua edhe një videomesazh i posaçëm nga Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i cili theksoi se “historia unike e Shqipërisë qëndron sot si një shembull morali dhe guximi për mbarë botën.”

“Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë deportoheshin drejt kampeve të vdekjes, populli shqiptar u ngrit për t’i mbrojtur ata, në emër të kodit të tij të nderit, Besës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebre, jo vetëm që mbijetoi, por u shtua ne numër gjatë Holokaustit. Kjo është një e vërtetë që nuk do të harrohet kurrë. Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj, për shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot dhe çmojmë miqësinë e fortë si dhe udhëheqjen morale të Kryeministrit Edi Rama. Zonja dhe zotërinj, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj që u vranë gjatë Holokaustit. Kurrë më“, deklaroi Ministri Sa’ar.

Në ceremoni morën pjesë nxënësit e Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri”,  të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.