AKTUALITET, 27 Janar 2026, 09:35

Detaje/ Flet kushëriri i familjes për ngjarjen në Durrës: Vajzën e plagosi babai sepse refuzoi të bashkohet me nënën pas divorcit. Njeri problematik

Detaje/ Flet kushëriri i familjes për ngjarjen në Durrës:

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e djeshme në Durrës, ku një baba plagosi vajzën e tij me thikë.

Sipas gazetares Elitjona Doko, një i afërm i familjes Ndoji ka thënë se “ky person ka qenë gjithmonë tip problematik, konsumonte alkool dhe ushtronte dhunë në familje”.

“U divorcua nga gruaja prej këtyre problemeve dhe iku jashtë shtetit, në Itali, ku bëri dy vite burg për trafik lëndësh narkotike. Ka pak kohë që ka dalë nga burgu dhe donte të kthehej sërish me ish-gruan, por vajza e tij nuk donte se e dinte se çfarë njeriu ishte. Prandaj dhe ai e plagosi”, ka thënë i afërmi i familjes.

Policia e Durrësit arrestoi 57-vjeçarin Mikel Ndoji, i cili paradite plagosi me thikë vajzën e tij Xh.N, 24 vjeç. Përveç të bijës ai plagosi edhe dy persona të tjerë që tentuan t’i vijnë në ndihmë vajzës.

Dy të plagosurit e tjerë, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, janë punonjës të një agjensie imobiliare që kanë tentuar të ndërhynë, kur kanë parë që babai po godiste me thikë vajzën.

Sipas policisë, të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën, edhe pse kanë marrë disa goditje me thikë.