TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

SPAK merr të pandehur sërish Arben Ahmetajn në lidhje me privatizime ish-fabrikës së Bukës, tashmë kompleksi 'Emerald' tek rruga 5 Maji, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 7 mld lekë.
Arben Ahmetaj është marrë i pandehur për veprat penale 'pastrim parash' dhe 'shpërdorim detyre'.
Po vijon hetimi për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari. Ahmetaj ka qenë ministër Financash në atë kohë.
Kjo pronë me sipërfaqe prej 3 mijë m2 ishte në inventarin e pasurive të Ministrisë së Financave. Por gjatë periudhës së drejtimit të këtij dikasteri nga Arben Ahmetaj, ky i fundit ka firmosur ta privatizojë duke ja dhënë me ankand të drejtën e investimit një klani të caktuar interesash, të cilën pasi e morën pasurinë e zhvilluan duke ndërtuar pallate.
Përmes firmës së Arben Ahmetaj, përjashtoi ish-pronarët e familjes Myderizi nga e drejta e fitimit të pasurisë, megjithëse ata kishin mundur ta fitonin pronën përmes vendimeve të gjykatave. Për këtë çështje në SPAK është thirrur dhe ka dëshmuar ish-ministri Shkëlqim Cani dhe disa zyrtarë të tjerë të ministrisë së Financave.
Sipas informacioneve për këtë çështje vijojnë hetimet edhe për persona të tjerë, biznesmenë dhe punonjës të ministrisë së Financave. Nën hetim edhe biznesmeni, Lirim Fezollari, i cili përfitoi nga privatizimi në kohën kur Ahmetaj ishte ministër i Financave.
Burime nga SPAK, bëjnë me dije se ka dyshime se mes biznesmenit dhe ministrit ka pasur marrëdhënie dhe njohje, e për këtë është lehtësuar procedura për privatizimin, e aksioneve të shoqërisë aksionere “Buka Sh.a”. Aksionet shtetërore të pronës në një nga pikat më të lakmuara të Tiranës, u transferuan me firmë të Ahmetajt, teksa paraardhësi i tij Shkëlqim Cani e kishte refuzuar, teksa ky i fundit është pyetur nga SPAK lidhur me këtë çështje muaj më parë.
Prona prej mijëra metrash katror i është njohur prej vitit 1994 nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, familjes Myderizi. Por përmes një procedure ankandi të hapur në 2014, përfitues i aksioneve shtetërore të kompanisë është bërë biznesmeni Lirim Fezollari. Ky i fundit përmes disa procedurave ankandesh, në kohë të ndryshme ka arritur ta përvetësojë pronën.
SPAK vijon hetimet për këtë çështje për 8 persona dhe 1 subjekt. Ahmetaj i është komunikuar akuza për shkak të afateve, ndërsa për të tjerët hetimet vijojnë pasi çështja është ndarë në një procedim tjetër, ku po hetohen subjekte dhe ish punonjës të ministrisë.