AKTUALITET, 24 Dhjetor 2021, 22:18

Skandali me rrjedhjen e të dhënave personale/ Meksi: Databaza e QKB-së bredh vërdallë që në prill!

Skandali me rrjedhjen e të dhënave personale/ Meksi: Databaza e

“Databaza e QKB-ës bredh vërdall që në prill”, kështu u shpreh mbrëmjen e sotme në “Arnautistan” në MCN TV, eksperti i IT dhe sipërmarrës, Endri Meksi, për ngjarjen që ka trazuar opinionin publik ditët e fundit, publikimin e databazës së pagave. 

Ai tha se nuk e di nëse databaza është publikuar, por u shpreh se disa djem të IT në Tiranë herë pas here i kanë thënë që të tilla databaza ndodhen dhe në darkweb, në shitje. Siç u shpreh Meksi kjo nuk është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë, por shtoi se është e turpshme përveç dëmit që pësojnë shumë njerëz.

“Databaza e QKB-ës bredh vërdall që në prill. Nuk di të jetë publikuar, por e di që bredh. Këto databaza për të cilat ne flasim tani ka disa djem të IT në Tiranë që herë pas here kanë thënë që të tilla databaza ndodhen dhe në darkweb, në shitje. Nuk di nëse është e saktë. Në një media sot thuhej që databaza e targave ka qenë në qarkullim prej vitesh. Nuk është hera e parë që ndodh, por është e turpshme përveç dëmit për shumë njerëz. Ka njerëz që u masakrohet jeta sot qoftë në bankë, qoftë në familje dhe kjo ka thyer një far procesi të besueshmërisë”, tha Meksi.