AKTUALITET, 24 Dhjetor 2021, 19:16

Një ton kokainë në portin e Roterdamit/ Katër vite burg për 29-vjeçarin shqiptar, i përfshirë edhe në pastrim parash. Ja roli i tij në Shqipëri

Një ton kokainë në portin e Roterdamit/ Katër vite burg

Gjykata e Roterdamit dënoi sot me katër vite burg një 29-vjeçar shqiptar, për përfshirjen e tij në trafikun e gati një ton drogë përmes portit të njohur të këtij qyteti.

Mediat holandeze shkruajnë se, shqiptari me inicialet F.M. është pjesë e grupit të kapur në portin e Roterdamit në prill të vitit 2020.

29-vjeçari i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë, akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në organizata kriminale, posedim të armëve të zjarrit, municione dhe pastrim parash në vlerën e 60,500 euro.

Si u soll një ton kokainë në portin e Roterdamit?

Më 7 Prill 2020, një kontejner i ngarkuar me 998.5 kilogramë kokainë mbërriti në portin e Roterdamit. Pas mbërritjes së drogës në port, drejtimin e kontejnerit e ka marrë 29 vjeçari F.M. Por pasi mori në dorëzim kontejnerin ai konstatoi se ai ishte i boshatisur. Për këtë arsye, ai njoftoi të dyshuarit e tjerë përmes një llogarie në Sky CC. Nga hetimet rezultoi se F.M kishte pasur kontakte të shpeshta përmes këtij kanali komunikimi ku shkëmbente foto dhe të dhëna me grupet e ndryshme të drogës. Gjatë komunikimit 29-vjeçari ka përmendur edhe armët e zjarrit të cilat i cilësonte si hekura: “Nuk e di se çfarë hekurash janë”. Më pas u verifikua që një organizate kriminale i nevojiteshin 5 armë zjarri.

“A i ke hequr të gjitha hekurat (kupto: armët)? Hekurat duhen, po nëse vjen dikush dhe të  grabit, si i bëhet pastaj? Pagova 2 mln për ty se të rrahën në garazh. E kupton apo jo? Është hera e parë dhe e fundit. Duhet të ketë një hekur (armë) në çdo shtëpi, kjo nuk duhet të ndodhë më”, thuhet në një nga komunikimet e zbardhura të hetuesve holandezë, shkruan crimesite.nl.

Hetuesit kanë evidentuar se fotot e armëve të zjarrit janë dërguar përmes aplikacionit, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe gjykata.

Prokuroria e karakterizon rolin e 29-vjeçarit si një mjaft të rëndësishëm për drejtuesit e organizatave kriminale, veçanërisht ato që operojnë në vendin tonë.

Sipas mediave holandeze, F.M ka vepruar si transportues i kokainës dhe kontrollues i kontejnerëve nëse kokaina ishte hequr e gjitha pas dorëzimit të saj.