AKTUALITET, 20 Maj 2026, 10:47

"S’ka kompromis"/ Operacioni në Sarandë ku u arrestua shefi i Komisariatit, Lamallari: Kush mbyll sytë para paligjshmërisë, llogaritë i ka me drejtësinë

"S’ka kompromis"/ Operacioni në Sarandë ku u arrestua

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari komentoi operacionin në Sarandë kundër ndërtimeve pa leje, ku u arrestuan shefi i komisariatit Gezim Bashllari dhe dy efektivë të tjerë.

Sipas ministrit, ky operacion tregoi se kushdo që mbyll sytë ndal paligjshmërisë nuk ka kompromis dhe llogaritë i ka me drejtësinë.

Ai shtoi se gjoba si masë e parë dhe më pas referimi në organet e drejtësisë do të zbatohet për këdo që shkel ligjin.

“Operacioni në Sarandë tregoi se kush mbyll sytë ndaj paligjshmërisë, apo bëhet njësh me krimin, ka përgjegjësi të qarta pa kompromis dhe llogaritë nuk i ka me vendin e punës, por i ka me drejtësinë.

Gjobë si masë e parë për këdo që shkel ligjin, neglizhon zbatimin germë për germë të ligjit, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e territorit, në zona me interes kombëtar turistike, malor etj., dhe si masë e dytë edhe referimi në organet e drejtësisë, prokurori dhe gjykatë.

Këtu nuk ka kompromis. Ashtu sic na besojnë turistët që vijnë, ashtu kemi edhe detyrimin për të zbatuar ligjin germë për germë”, tha ministri.

I pyetur për përgjegjësitë, ministri deklaroi se nuk është vetëm Policia e Shtetit, por edhe IKMT, IMT dhe policia bashkiake.

“Përgjegjëse nuk është vetëm Policia e Shtetit, ne morëm masa sa i përket përgjegjësisë që kanë policia, për të garantuar edhe zbatimin e ligjit, por mbrojtja e territorit është përgjegjësi e përbashkët e IKMT, IMT dhe policisë bashkiake. Sicilia instancë duhet të bëjë analizën e vet, i kam kërkuar drejtuesit të IKMT të bëjë këtë vlerësim dhe në takimin që pata me kryetarin e bashkisë, ai ndante të njëjtin shqetësim për përgjegjësitë që kanë instancat vendore”, deklaroi ministri.