AKTUALITET, 19 Maj 2026, 21:25

Shqipëria ngec sërish në Bruksel/ Raporti IBAR mbetet pezull, të enjten COELA sërish diskutime

Shqipëria ngec sërish në Bruksel/ Raporti IBAR mbetet pezull,

Grupi i punës i ekspertëve nga 27-të shtetet anëtare të BE-së i quajtur ndryshe COELA u mblodh sot në Bruksel, por ende nuk ka dalë me një vendim për Raportin e IBAR për Shqipërinë. Si pasojë ditën e enjten kjo temë do të jetë sërish në axhendën e COELA-s. Sipas BE, kanë mbetur ende disa shtete që nuk e kanë dhënë dritën jeshile për draftin.

Nëse arrihet dakordësia në nivelin COELA, çështja pritet të kalojë për miratim në COREPER më 22 maj, ku mund të miratohet si “pikë I”, pa debat mes ambasadorëve të vendeve anëtare. Ky hap do të ishte vendimtar për hapjen e rrugës drejt një konference ndërqeveritare me Shqipërinë në ditët në vijim.

IBAR përfaqëson vlerësimin e Komisionit Europian mbi përmbushjen e standardeve të ndërmjetme në kuadër të Grupit 1 “Bazat”, që përfshin fusha kyçe si sundimi i ligjit, gjyqësori, të drejtat themelore dhe reforma e administratës publike. Një miratim pozitiv do t’i lejonte Shqipërisë të përparojë drejt fazës së mbylljes së kapitujve negociues në procesin e anëtarësimit në BE.

Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian në korrik 2022, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Grupi 1 – Bazat u hap në vitin 2024, ndërsa grupe të tjera u hapën gjatë vitit 2025, duke e çuar vendin në një fazë të fokusuar në përmbushjen e standardeve të ndërmjetme dhe avancimin e negociatave.