AKTUALITET, 19 Maj 2026, 21:38

Eric Wendt drejt emërimit si ambasador i SHBA-së në Shqipëri, raporton nesër para Komisionit të Senatit amerikan

Eric Wendt drejt emërimit si ambasador i SHBA-së në

Gjenerallejtënant Eric Wendt pritet të paraqitet para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin e Shteteve të Bashkuara, në kuadër të procesit të konfirmimit të kandidaturës së tij si Ambasador i SHBA-së në Republikën e Shqipërisë.

Seanca është parashikuar të zhvillohet të mërkurën, më 20 maj 2026, në orën 10:00, në ambientet e Senatit amerikan (SD-419), ku Wendt do të japë dëshminë e tij dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të senatorëve lidhur me përvojën dhe prioritetet e tij diplomatike nëse konfirmohet në këtë detyrë.

Eric Wendt vjen në këtë nominim me një karrierë të gjatë ushtarake prej më shumë se 34 vitesh shërbim aktiv në ushtrinë amerikane. Wendt aktualisht shërben si Profesor i Praktikës, ku jep mësim në fushën e Komandës dhe Lidershipit në Naval Postgraduate School (NPS).

Gjatë kohës që ishte në shërbim aktiv me uniformë si gjeneral me tre yje, ai ka qenë i dislokuar në Evropë dhe ka shërbyer si Komandant i Selisë së Operacioneve Speciale të NATO-s.

Ai ka komanduar të gjitha Forcat e Operacioneve Speciale të caktuara për NATO-n (përfshirë edhe njësitë shqiptare të operacioneve speciale) dhe ka punuar në Shqipëri me drejtues të mbrojtjes dhe efektivë ushtarakë. Më herët, ka shërbyer për një vit në Afganistan si Zëvendëskomandant Rajonal, detyrë që përfshinte edhe mbikëqyrjen e trupave nga Shqipëria.

Ai ka mbajtur disa pozicione të larta komanduese dhe ka drejtuar struktura me deri në mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Për dy vite ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë integrale e Ambasadës së SHBA-së në Jeruzalem, ku ka udhëhequr një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë së SHBA-së për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.

Përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia e provuar për të menaxhuar organizata komplekse shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe ekspertiza e tij rajonale në të gjithë Evropën, e bëjnë gjenerallejtënantin në pension Wendt një kandidat të mirëkualifikuar për të shërbyer si Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë, thuhet në përshkimin e tij nga DASH.

Wendt ka përfunduar diplomën Bachelor (B.A.) në University of California, Santa Barbara dhe diplomën Master (M.A.) në Naval Postgraduate School, Monterey, Kaliforni. Ai flet arabisht dhe koreanisht. Është nderuar me një sërë çmimesh dhe dekoratash, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Dalluar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Dalluar (me një “oak leaf cluster”), Medaljen “Bronze Star” (me dy “oak leaf clusters”), si dhe Çmimin e Lartë të Nderit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Në rast konfirmimi, Wendt pritet të marrë drejtimin e Ambasadës amerikane në Tiranë, në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.