AKTUALITET, 2 Dhjetor 2025, 10:38

Kërkoi laptop në burg ose të paraqitej çdo ditë në gjykatë për të studiuar dosjen 60 mijë faqe, shtyhet seanca Veliajn

Kërkoi laptop në burg ose të paraqitej çdo ditë

GJKKO ka rrëzuar kërkesat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili donte që ti krijoheshin kushte për t’u njohur me aktet e dosjes.

Kryetari i bashkisë, kërkoi një pajisje teknologjike në burg ose të lejohej çdo ditë që të vinte në gjykatë për të studiuar dosjen, por këto u refuzuan.

Veliaj në seancë ka thënë se i është mohuar e drejta për tu njohur me aktet e dosjes, ndërsa ka theksuar se vendosja e tij në kafaz është trajtim degradues dhe në kundërshtim me KEDNJ. Seanca u shty për më datë 5 dhjetor pasi Gjykata pranoi kërkesën e Veliajt për tu njohur me aktet. 

Më herët, Veliaj i është drejtuar me GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes që të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgim.

Erion Veliaj ka kërkuar vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që siç shprehet ai “më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime”.

Kryebashkiaku kërkon shtyrjen e procedurës, derisa “kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”.

Veliaj ka deklaruar se nëse kërkesat e tij nuk pranohen, atëherë ai thote se po perjashtohet nga ky proces gjyqësor, që siç deklaron kryebashkiaku “një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal”.

“Nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale”, deklaron Erion Veliaj.

Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për një sërë veprash penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.