AKTUALITET, 13 Tetor 2025, 12:29

Shtyhet 'Partizani'/ SPAK kundër pretendimeve të Berishës e Malltezit: Aktet janë të ligjshme, gjyqtarja dhe ekspertët pa konflikt interesi

Shtyhet 'Partizani'/ SPAK kundër pretendimeve të

Në seancën e së hënës të dosjes "Partizani" në Gjykatën e Posaçme, prokurori i SPAK, Arben Kraja, i cilësoi si të pabazuara në ligj e në prova pretendimet e të pandehurit Sali Berisha për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve të dosjes.

Kraja është shprehur se çdo veprim i SPAK ka qenë në zbatim të ligjit dhe kompetencës së SPAK. "Nuk janë evidentuar elementë të korrupsionit nga zyrtarë të tjerë. Pretendimet për pavlefshmëri të akteve janë të pambështetur në ligj dhe në prova.

Regjistrimi i procedimit penal mund të bëhet në ditën e kallëzimit, ose deri në një afat 15 ditor, por kjo nuk do të thotë se  duhet të presësh të mbarojë afati 15 ditor.

Mbi pretendimet për gjendjen e gjyqtares (Irena Gjoka) në kushtet e pazgjedhshmërisë vlerësojmë se janë të pambështetur në ligj dhe prova. Gjyqtarja është e zgjedhur nga organet përkatëse dhe ushtron detyrën në zbatim të ligjit.

Mbi pretendimet për papërdorshmëri të disa akteve të ekspertimit, ekspertet janë punonjës të institucioneve shtetërore dhe nuk ka asnjë ndalesë ligjore, që të pengojë marrjen e tyre, vetëm për shkak se nuk janë në një listë të caktuar.

Ekspertët nuk kanë asnjë interes në këtë procedim. Nuk ka pasur konflikt interesi mes tyre dhe të pandehurve, apo avokatëve të tyre", u shpreh Kraja. 

Nderkohe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të marrë një afat prej dy javësh për t’u shprehur mbi pretendimet paraprake të palëve në procesin gjyqësor për çështjen e njohur si “Partizani”, ku mes tyre është Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Seanca e radhës është caktuar për datën 27 tetor.

Në këtë seancë ka folur i pandehuri Jamarbër Malltezi, i cili ka paraqitur argumentet e tij lidhur me pavlefshmërinë e disa akteve të hetimit.

Malltezi dhe mbrojtja e tij pretendojnë se një sërë veprimesh procedurale janë kryer në kundërshtim me ligjin dhe kërkuan rrëzimin e tyre.

Nga ana tjetër, SPAK ka kundërshtuar në mënyrë kategorike çdo pretendim të ngritur nga të pandehurit.