TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata Administrative shqyrton sot kërkesën për sigurim padie të Naureda Llagamit kundër procedurës së votimit në Mbledhjen e Posaçme të Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese që u mbajt më 30 shtator. Llagami mori 8 vota nga 9 që do t’i jepnin asaj postin, pasi një votë u shpall e pavlefshme.
I renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), gjyqtari Asim Vokshi, u shpall automatikisht, kandidati i përzgjedhur për në Gjykatë Kushtetuese. Llagami ka kërkuar nga Gjykata Administrative pezullimin e zbatimit të vendimit të Mbledhjes së Posaçme si dhe të procedurave deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
Llagami pretendon se në fletën e votimit ishte shënuar dy herë pranë emrit të saj, por u shpall e pavlefshme qëllimisht për të ndryshuar rezultatin. Nëse kjo votë do të ishte lexuar siç duhet, sipas Llagamit, ajo do të kishte 9 vota, pra 3/5 e votave, dhe do të ishte ajo gjyqtarja e re e Kushtetueses dhe jo Vokshi, i cili u zgjodh si i rendituri më lart në pikëzimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Fleta e votimit e shpallur e pavlefshme kishte dy shenja, si në kutinë ku duhej vendosur një nga shenjat e parashikuara nga Rregullorja e Posaçme për mbledhjen e gjyqtarëve të saj për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, dhe një tjetër shenjë përpara emrit të Llagamit, një rreth i cili kishte qarkuar numrin 2, që në renditje i përkiste asaj. Për Llagamin, një gjë e tillë nuk mund të çojë në pavlefshmëri pasi vullneti në favor të kandidaturës së saj mbetet i shprehur qartë.
Por Gjykata e Lartë thotë se procesi i votimit zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citon nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”. Të dy këto nene, thotë Gjykata e Lartë në parashtrimin dorëzuar në Administrative, “janë rregulla ndalimi absolut: ato nuk lidhen me faktin nëse vullneti është i qartë apo jo, por sanksionojnë pavlefshmërinë nëse në fletë ka një shenjë të dytë ose një shënim shtesë, pikërisht sepse kjo shenjë kompromenton fshehtësinë”.
Sipas Gjykatës së Lartë, “çdo pretendim i ngritur mbi një votë të pavlefshme është i pabazuar juridikisht dhe etikisht diskretitues për kandidaten humbëse”.