AKTUALITET, 8 Korrik 2024, 23:42

“Shqipëria ka nevojë për diasporën!”/Sejamini: Vota e diasporës, çështje e komplikuar, politika nuk ka vullnet ta mundësojë

“Shqipëria ka nevojë për diasporën!”/Sejamini:

Neritan Sejamini ka folur për votën e diasporës, duke e quajtur një proces të komplikuar, për shkak të përhapjes së shqiptarëve në botë dhe problematikat e Shqipërisë me zgjedhjet, që vidhen dhe kontestohen edhe brenda vendit.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini tha se Shqipëria ka shumë nevojë për diasporën dhe përfshirjen e tyre, por shtoi se aktivistët duhet të jenë më “modestë dhe të përunjur” dhe të mos shfaqin arrogancën e atyre që sillen sikur do të vijnë të shpëtojnë vendin nga jashtë.

Analisti deklaroi gjithashtu se palët politike nuk e kanë vullnetin për ta miratuar votën e diasporës.

“Diaspora e ka të drejtën e votës, nuk bëhet fjalë për të drejtën e votës, por për të mundësuar votën pa ardhur në Shqipëri. Po të vijnë në Shqipëri e kanë të drejtën e votës dhe e drejta e votës është e drejtë kushtetuese.

Duket që kjo nuk do të ndodhë. Po të shohësh se cfarë thonë ata, kushtin që vuri PD, mënyra si e tha zoti Gjiknuri, kushtet që zoti Bylykbashi tha se janë vënë për të lidhur koalicionet me votën e diasporës, është bërë një lidhje thuajse e pamundur sepse koalicionet nuk kanë për t’u kthyer ndonjëherë. Nëse opozita e ka kushtëzuar me këtë gjë, nuk ka për të ndodhur. Kam përshtypjen që edhe qeveria nuk duket se e ka. Do të duket se po e bën por nuk do ta bëjë. Uroj ta bëjnë, por le të supozojmë se nuk do ta bëjnë për 2025.

Zoti Rama në takimet në diasporë, nuk e përmendi asnjëherë votën e diasporës. Foli për eskilin, Homerin, lashtësinë, por nuk tha a do të mundësojë Shqipëria të drejtën për të votuar në vendet ku banojnë shqiptarëve të Shqipërisë. Kjo gjë me sa duket nuk do të ndodhë.

Mendoj se Shqipëria ka shumë nevojë për diasporën, për kapacitetet njerëzore të diasporës, për kontributin që mund të japë diaspora, ka shumë nevojë. Shqipëria që ka mbetur këtu, ka ngelur apatike, burimet njerëzore janë larguar, ka probleme me moralin shoqëror, degradimin institucional. Ne kështu siç jemi këtu, kemi pak kapacitet për të sjellë ndryshimin. Duhet të vijnë mendje të freskëta dhe objektive.

Siç ka qenë tradicionalisht në historinë tonë, që shqiptarët që kanë jetuar jashtë Shqipërisë e kanë parë vendin pak më kthjellët dhe me më shumë patriotizëm dhe dashuri sa e kemi parë ne. Ndoshta malli, ndoshta ai pendimi që e kanë braktisur Shqipërinë, se edhe kjo që ne e duam shumë por kemi ikur, nuk shkon shumë, por gjithsesi, njeriu bën zgjedhjen e vetë. Ndoshta edhe ky pendim i brendshëm në subkoshiencën e tyre, ia shton më shumë dashurinë dhe përkushtimin.

Ne kemi nevojë për diasporën, siç kemi nevojë që ata të na ndihmojnë edhe në vendet ku janë, duke lobuar për Shqipërinë, duke e bërë të njohur Shqipërinë, siç kemi nevojë që ata të mbajnë gjallë gjuhën shqipë.

Shqipëria ka nevojë për diasporën. Vota e diasporës është një mundësi që u jepet shqiptarëve që ti mbajë të lidhur me vendin e tyre, t’ju japë atyre edhe një ndjesi rëndësie. Por, duhet të kuptojmë një gjë, është një proces tmerrësisht i vështirë.

Shqipëria është një rast unik në botë, ka më shumë shqiptarë jashtë vendit sesa brenda vendit. Nëse i japim të drejtën për të votuar diasporës, shqiptarët janë më shumë jashtë sesa brenda. Nëse i jep të drejtën diasporës, se kush do të qeverisë Shqipërinë, do ta vendosin shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë.

E dyta, ky është një operacion masiv, sepse shqiptarët janë shumë të përhapur në botë. Kemi në Greqi, në Itali, Gjermani, Francë, në SHBA, Kanada, në këto vende kemi grumbullime të mëdha të diasporës, pastaj shqiptarë ke kudo. Pra nga pikëpamja logjistikë është i përmasave të mëdha.

E treta, është në një vend ku ne nuk kemi përvojë me zgjedhjet, sepse ne i vjedhim zgjedhjet, i manipulojmë, ja vjedhim njëri tjetrit. Pra nuk kemi traditë të konsoliduar dhe një sistem të shëndetshëm.

Ky është një proces i vështirë edhe sikur të kesh vullnetin për ta bërë.

Nëse doni këshillë prej meje, qasja më e mirë nuk është, na jepni votën sepse ju nuk e ndryshoni dot Shqipërinë, por na e jepni ne… Duhet një qasje më modeste dhe e përulur. Ju doni votën, sepse doni të merrni pjesë në punët e Shqipërisë. Jo se ne nuk dimë të votojmë dhe do të vini ju të na shpëtoni nga koncesionet dhe korrupsioni. Kanë ardhur shumë nga ju, janë bërë edhe ministra këtu dhe kanë vjedhur më shumë, janë bërë mjeshtra. Madje shumica e politikanëve nga jashtë na kanë ardhur. Edhe zoti Rama ka qenë në diasporë edhe zoti Basha, zoti Veliaj.

Pra duhet qasje nga pikëpamja e domosdoshmërisë që kombi shqiptar të gjejë një gjë të përbashkët.

Unë jam pro votës së diasporës, mendon se Shqipëria pa diasporën do ta ketë shumë të vështirë të përparojë dhe të modernizohet shpejt, por kjo është një çështje e vështirë dhe qasja juaj duhet të jetë më modeste dhe e përunjur”, tha Sejamini.