AKTUALITET, 28 October 2026, 14:58

Nga opozita në qeverisje, Sula: I ndjek Ramën dhe Berishën! Jam mes dy zjarreve, nëse gaboj më djegin kryeministri edhe opozita

Nga opozita në qeverisje, Sula: I ndjek Ramën dhe Berishën! Jam

 Kryeinspektori Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” me gazetaren Ola Bruko, ka komentuar zhvillimet politike në Partinë Demokratike, protestat e opozitës dhe vendimin e tij për t’iu bashkuar mazhorancës socialiste.

 Sula, i cili në të kaluarën ka qenë deputet i PD-së dhe është bërë i njohur edhe për daljen në Kuvend me qepë dhe presh, kritikoi gjendjen e opozitës, duke deklaruar se përçarjet e brendshme dhe mungesa e një strukture të konsoliduar po dëmtojnë besimin e qytetarëve. Ai u ndal edhe te protestat e opozitës, duke u shprehur kundër dhunës dhe përdorimit të molotovëve. Sipas tij, opozita duhet të krijojë shpresë te qytetarët dhe të ushtrojë presion politik ndaj mazhorancës, në vend që të përfshihet në përplasje të dhunshme.

Duke folur për largimin nga PD-ja dhe kalimin në krahun e socialistëve, Sula përdori një metaforë për të shpjeguar vendimin e tij, duke thënë se asnjë marrëdhënie nuk mund të mbahet me forcë. Ai pranoi se vendimi nuk kishte qenë i lehtë dhe se e kishte menduar për javë e muaj, ndërsa bëri të ditur se kishte zhvilluar disa takime me kryeministrin Edi Rama, i cili i kishte kërkuar të kontribuonte.

 “Nëse ndodh kjo që po ndodh, është gjë e mirë. Opozita ka kauzat e veta politike. Nëse opozita nuk është në nivelin e vet që të bëjë opozitën, është në dëm të demokracisë. Duhet të bëjë presion te mazhoranca. Po nuk ishe në rregull për veten tënde, mos prit nga të tjerët. Opozita duhet të jetë e kuruar, e strukturuar. Përballë mazhorancës dhe qytetarëve, ti do të duhet të ngjallësh shpresë. Edhe kur isha unë aty, ishim në luftë civile në PD, nga 10 shtatori i vitit 2021 deri në vitin 2025. Çfarë mesazhi u japim qytetarëve ne? Sot ke protesta ku ka dhunë. Mua më vjen turp për 10 janarin. Si njeri që kam qenë aty në atë kohë, kur shihje vëlla dhe motër që thyenin selinë, si mund të ngjallë shpresë një opozitë kur ke problematika të tilla?! Ka dhe kolegë të nderuar në PS.

Zërat në PD kanë rënë totalisht. I hoqi të gjithë të mirët. Kjo e imja nuk është hakmarrje. As gruaja nuk mbahet me zor, as burri. Po të përzunë, s’do rrish pa u martuar, s’do rrish pa dashuruar. Unë jam te mazhoranca sot, por e kam pyetur veten disa herë, për disa javë e muaj pasi kam marrë një vendim. Mos kujtoni se ka qenë e lehtë. E mohova, se nuk kisha vendosur akoma. Kam pasur disa takime me kryeministrin, që më ka kërkuar të kontribuoj. I jam mirënjohës. Doja t’i tregoja edhe familjes që unë isha aty, që kam detyrime dhe peshë. Rruga e duhur nuk është molotovi, as dhuna, por fitimi i shpirtit dhe i zemrave, ngjallja e shpresave te qytetarët.”, tha ai.

Dashnor Sula ka folur edhe për detyrën e tij si Kryeinspektor dhe për pozicionin e tij mes mazhorancës dhe opozitës, duke deklaruar se ndihet nën presionin e të dyja palëve.

Ai vlerësoi komunikimin e kryeministrit Edi Rama, duke treguar se ky i fundit i përcjell edhe shqetësime të qytetarëve në orët e para të mëngjesit.

Dashnor Sula: S’jam anëtar i PS-së. Ndjej përgjegjësi për shtetin shqiptar. Prej tetë muajsh drejtoj institucionin më të rëndësishëm shqiptar. A ka probleme? Sigurisht që ka. Ndjej që të kontribuoj për qytetarët shqiptarë.

Unë jam një ndjekës i rregullt i televizioneve, për shkak edhe të zakonit tim dhe lidhjeve me politikën. I ndjek Ramën dhe Berishën. Jam mes dy zjarreve. Nuk ruhem dot me një krah, se më djeg tjetri. Nëse gaboj, më djeg Rama, se më shkarkon nëse nuk e bëj detyrën, por më djeg edhe opozita, që mund të thotë: ‘Ky ishte një limon i shtrydhur, i pavlerë’. Edhe Berisha ka karizmën e vet, në fillimet e veta politike. Por me zotin Rama e gjej veten për sa i përket komoditetit që krijon në komunikim. Nuk komunikon vetëm me mua. Rama është i tmerrshëm për të ndjekur ritmin e tij. Duhet të jesh i gatshëm për përcjelljen e ankesave dhe shqetësimeve.

Sot, në orën 05:30 të mëngjesit, kur kam qenë në gjumë, më ka përcjellë një shqetësim të një qytetari nga Vlora. Qytetarin e kam ftuar nesër në zyrë, nga ora 09:00. E vlerësoj kryeministrin në këtë qasje. Edi Rama ka 13 vite në pushtet. Në kuptimin e mirë të fjalës, nuk ka çfarë të kërkojë më me emër, pasi ka një kauzë: bashkimin e shqiptarëve në BE.