AKTUALITET, 8 Korrik 2024, 21:48

Pse pranuat të kandidoni në zonë jo minoritare në një moment të tillë? Hoxha pyet Tavon për Himarën

Pse pranuat të kandidoni në zonë jo minoritare në një

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e pyeti kandidatin e PS-së për bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, se përse PS nuk gjeti një kandidat nga zona e Himarës, por u detyrua të marrë një minoritar nga Dropulli. Tavo iu përgjigj se Rama e sqaroi që përvoja e gjatë në politikë e shtyu që ta kandidojë në Himarë, për të sheshuar problemet dhe për të dhënë zgjidhje.

Artan Hoxha: Ju vini nga zona e Dropullit dhe keni qenë aktor kryesor. Këtë radhë po kandidoni në një zonë që nuk është minoritare, si Himara. Kandidimi juaj në një zonë që nuk është minoritare, pse pranuat të kandidoni në një zonë dhe moment të tillë dhe si është e mundur që partia në pushtet e ka kaq të vështirë që të nxjerrë një kandidat nga zona e Himarës, por një kandidat që sjell nga jashtë territorit?

Vangjel Tavo: Unë jam minoritar, por në udhëtimin tim politik, nuk kam qenë lokalist. Kam qenë përfaqësues i minoritetit të Gjirokastrës, por edhe i Labërisë, Libohovës, por edhe i Përmetit dhe Tepelenës. Zoti Rama më sqaroi që përvoja ime e gjatë në politikë dhe kjo e shtyu që të më kandidojë në Himarë, për të sheshuar problemet, për të dhënë zgjidhje. S’ka lidhje me lidhjet e mia në Greqi, apo Amerikë. Ju garantoj për këtë.