TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në një konferencë të organizuar nga Partia Demokratike dhe fondacioni suedez “Jarl Hjalmarson,” Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi rëndësinë historike të fitores së 11 majit për Shqipërinë.
Berisha u ndal te riorganizimin e partisë, krijimi i një koalicioni të gjerë dhe paraqitja e një programi të fortë për Shqipërinë.
“Shqipëria do të jetë një vend ku të rinjtë mund të realizojnë ëndrrat e tyre, duke investuar në arsim, punësim dhe mundësi të tjera për ta”, tha ai.
Berisha i premtoi qytetarëve një Shqipëri pa varfëri ekstreme, me paga dhe pensione më të larta, duke përmendur rrogën minimale prej 500 euro dhe rrogën mesatare prej 1200 euro.
Sipas tij, “paratë që mblidhen nga të ardhurat, një pjesë e mirë do shkojë për rroga dhe pensione”. “Ne do vendosim minimumin jetik. Nuk do ketë shqiptar që do marrë më pak se 200 euro. Do rriten pensionet. Rroga minimale do jetë 500 euro. Rroga mesatare do jetë 1200 euro. Nuk do preket rroga maksimale sepse diferenca mes rrogës mesatare dhe rrogës maksimale është më e thella se në çdo vend tjetër që unë di në planet”, shtoi ai.
Ai gjithashtu theksoi se do të punojnë për të rritur prodhimin dhe për të mbështetur bizneset dhe startup-et, duke ulur taksat dhe çmimin e energjisë.
“Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë dhe Shqipëria do ketë çmimin më të ulët të energjisë dhe do shndërrohet në një superfuqi energjetike rajonale. Do bëhet epiqendër të teknologjisë së lartë në rajon e më gjerë. Do bëhet epiqendër e inteligjencës artificiale, kriptomonedhave, dataqendrave. Pra, kjo do jetë Shqipëria Madhështore, plotësisht e realizueshme”, shtoi ai.
Në fjalën e tij, Berisha i ftoi të rinjtë të bëhen mesazherët e fushatës dhe të bëjnë Shqipërinë “Made in Albania” një realitet, duke shprehur besimin se ata do të jenë fytyra dhe përkrahës të kësaj lëvizjeje për një Shqipëri më të fuqishme dhe të begatshme.
Duke folur për koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha tha se “kemi krijuar koalicionin më të gjerë në të gjitha vitet”.
“Aleatët tanë përbëjnë rreth një të tretën e votuesve shqiptarë. Kandidatët në tërësi kanë dalë nga primaret dhe anëtarësia jonë është konsultuar më shumë se kurrë në përzgjedhjen e tyre. Por përveç këtyre, ne kemi një program të shkëlqyer. “Shqipëria Madhështore” është një program real dhe i realizueshëm, që synon transformimin e Shqipërisë nga varfëria ekstreme në një vend të zhvilluar dhe prosperues”, theksoi ai.