AKTUALITET, 22 Mars 2025, 12:08

Rimbursimi i profesionistëve të lirë, Tatimet: Mund të aplikohet në çdo kohë

Rimbursimi i profesionistëve të lirë, Tatimet: Mund të

Tatimpaguesit që ofrojnë shërbime profesionale kanë ende kohë për të përditësuar llogaritë e tyre, për të përfituar rimbursimin e shumave të paguara si këste të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimit mbi fitimin, në fillim të vitit 2024.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur sot se tatimpaguesit që nuk janë rimbursuar ende, për shkak të mungesës së llogarisë bankare ose të dhënave të pasakta, duhet të dorëzojnë një kërkesë pranë drejtorive rajonale, me shkrim ose nëpërmjet eFiling.

Gjithsesi, tatimpaguesit nuk e humbasin të drejtën e rimbursimit të kësteve dhe mund të aplikojnë në çdo moment që e shohin të arsyeshme.

Administrata Tatimore rimbursoi gjatë dhjetorit të vitit që lamë pas, 6,1 milionë euro, ndërsa shuma e mbetur për t’u rimbursuar është 380 mijë euro.

Llogaria bankare duhet të jetë: aktive në një bankë të nivelit të dytë; në monedhën lek; e ngarkuar paraprakisht në eFiling (menuja “Profili im”).

Rimbursimi i kësteve të parapaguara nga tatimpaguesit, ofruesit e shërbimeve profesionale nisën në fillim të muajit dhjetor 2024.

Kthimi i kësteve po bëhet pasi Gjykata Kushtetuese vendosi më 27 qershor 2024 rrëzimin e nenit 69 që detyronte profesionistët e lirë që kishin realizuar të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit, të paguanin tatimin mbi fitimin prej 15%.

Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte që zbatimi do të niste për profesionistët e lirë nga 1 janari 2024 dhe për bizneset e tjera në vitin 2029.

Nga ky ligj u prekën rreth 29 mijë profesionistë të lirë. Një pjesë e tyre parapaguan këstet e tatimit prej 15%, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023.

Tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.