TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qytetarët shqiptarë që kanë në përdorim një automjet kanë paguar në total afro 213 milionë euro taksë të qarkullimit rrugor. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave, tregojnë se të ardhurat nga taksa e qarkullimit, e cila vilet për çdo litër për naftën dhe benzinën, kanë pasur një rritje të konsiderueshme me 9% në raport me një vit më parë.
E thënë ndryshe, janë paguar afro 18 milionë euro më shumë se në vitin 2023. Rritja e të ardhurave është diktuar nga shtimi i konsumit të karburantit. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se përgjatë 12-muajve që lamë pas, qytetarët shqiptarë dhe turistët kanë konsumuar rreth 657.5 mijë ton karburant. Në raport me një vit më parë, rezulton rritje e importit të këtij produkti me rreth 43 mijë ton si dhe është në nivelin historik të 5 viteve të fundit.
Kjo perfomancë vjen si rrjedhojë e rritjes së fluksit të turistëve në vendin tonë, shifër e cila regjistrohet në 11.7 milionë në vitin 2024, ku një pjesë e mirë prej tyre vijnë me automjete personale dhe një pjesë marrin automjete me qira për të vizituar sa më shumë vende.
Taksa e qarkullimit mbi naftën edhe benzinën vilet në masën 27 lekë për litër. Në vitin 2024, Ministria e Financave kishte programuar të vilte 233 milionë euro nga taksa e qarkullimit, por janë arkëtuar 213 milionë, me një mosrealizim në vlerë 20 milionë euro. Taksa e qarkullimit grumbullon të ardhura nga përdoruesit e transportit dhe vilet gjatë blerjes së karburantit, për çdo litër të konsumuar dhe shpërndahet më pas për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Taksa e qarkullimit është vetëm 1 prej 7 taksave që vilen nga konsumi i lëndëve djegëse dhe që shkon në arkën e shtetit bashkë me TVSH-në akcizën, taksën e karbonit, etj.