AKTUALITET, 24 Maj 2025, 16:51

Shfaqën shenja helmimi/ Skandal me ushqimin në një kopsht në Gramsh, ja çfarë treguan analizat e 70 fëmijëve

Shfaqën shenja helmimi/ Skandal me ushqimin në një kopsht në

Gjatë gjithë kësaj jave dyshohet se dhjetëra fëmijë në Gramsh kanë shfaqur shenja helmimi i cili dyshohet se ka ardhur nga ushqimi që kanë konsumuar në kopshtin shtetëror.

Ky shërbim ofrohet nga një kompani private përmes kateringut. Një grup i madh  i fëmijëve gjatë këtyre ditëve është paraqitur me shqetësime dhe të vjella në spitalin e qytetit të Gramshit dhe kjo ka alarmuar prindërit, ndërsa autoritetet e kanë mbajtuar të fshehtë situatën e krijuar.

Fillimisht prindërit kishin dyshuar për gjendje gripale të fëmijëve, por analizat e kryera treguan se ata ishin helmuar nga ushqimi. Helmimi u shkaktoi temperaturë të lartë, përzierje dhe dhimbje të forta koke. Nga përgjigja e analizave mikrobiologjike ka rezultuar se ka pasur intoksikacion (helmim) nga salmonela.

Burime jo zyrtare bënë me dije se të paktën 70 fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror në qytetin e Gramshit. Ata i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe analizave, por ende nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me situatën që dyshohet se është edhe më e rëndë sesa thuhet paraprakisht, pasi analizat kanë treguar prani të madhe të bakterit të salmonelës.