AKTUALITET, 24 Maj 2025, 12:47

Berisha shpërthen në akuza: Deputeti i zgjedhur i PS i mbështetur nga karteli i drogës Troplini, i është premtuar posti i ministrit të Brendshëm

Berisha shpërthen në akuza: Deputeti i zgjedhur i PS i mbështetur

Kreu i PD, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj deputetit të zgjedhur të PS-së, Arkend Balla, duke e cilësuar atë si “produkt të kartelit të drogës Troplini”. Në një konferencë për media, Berisha tha se Ballës i është premtuar posti i ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve të 11 majit.

Sipas Berishës, deputeti socialist ka përfituar nga një rritje e jashtëzakonshme e votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, çka sipas tij tregon patronazhin e kartelit të drogës mbi të. Ai theksoi se ky kartel ka ndikuar masivisht në zgjedhjet në qarkun e Durrësit, duke i dhënë PS-së dhe kryeministrit Edi Rama mijëra vota përmes terrorit dhe manipulimit.

“Arkend Balla, në vitin 2021 mori 2.463 vota. Në vitin 2025, nën patronazhin e kartelit Troplini, mori 20.718. I është premtuar posti i ministrit të Brendshëm pas zgjedhjeve. Ky është ministri i ardhshëm i kartelit,” – deklaroi Berisha.

Ai akuzoi gjithashtu edhe figura të tjera politike si të mbështetura nga qarqe kriminale, përfshirë Ilir Ndrazhin, Ani Dyrmishin dhe Erion Mekën, duke pretenduar se qindra vota janë kontrolluar dhe blerë nga struktura të trafikut të drogës.

Berisha kërkoi që këto grupe kriminale të shpallen organizata terroriste, pasi, sipas tij, “jo vetëm rrënojnë zgjedhjet dhe demokracinë, por kontrollojnë edhe ekonominë e vendit me narkoeurot e tyre”.