AKTUALITET, 24 Maj 2025, 12:06

PD akuza KQZ: Celibashi përgjegjës për dështimin e procesit të votimit nga jashtë

PD akuza KQZ: Celibashi përgjegjës për dështimin e procesit

Partia Demokratike deklaroi sot se kontrata që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte me kompaninë postare ndërkombëtare DHL për votimin e diasporës u shkel, pasi nënkontraktorët operuan në kundërshtim me ligjin.

Zëdhënësja për anti-korrupsion në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli tha se KQZ dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi janë përgjegjës për dështimin e procesit të votimit nga jashtë.

“KQZ vetë ka deklaruar se DHL International Albania nuk do të lejohet të nënkontraktojë subjekte të tjerë dhe as subjekte mbështetës në zbatimin e kësaj kontrate”, tha Vangjeli.

Sipas saj, “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shkelur Kodin Zgjedhor pasi nuk mund t’ia besonte shërbimin asnjë operatori lokal dhe ky detyrim ligjor nuk është një zgjedhje alternative”.

Në këto kushte, shton Vangjeli, “Ilirjan Celibashi, si Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve dhe drejtues ekzekutiv i këtij institucioni, kishte detyrimin të sigurohej që: Kontrata e lidhur me operatorin e përzgjedhur (në këtë rast DHL) të ishte në përputhje të plotë me kriteret e sipërcituara ligjore dhe nënligjore; Të merrte masa imediate në momentin që lajmi se DHL po operonte me nënkontraktorë; Të monitoronte zbatimin e këtyre detyrimeve ligjore dhe detyrimeve kontraktuale në çdo moment; Të garantonte shpërndarjen individuale dhe të gjurmueshme të dokumentacionit tek çdo votues i regjistruar në Diasporë”.

Vangjeli nënvizon se, “PD do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore lidhur me  dëmin financiar dhe elektoral që erdhi si pasojë”.