AKTUALITET, 30 Janar 2026, 13:17

"S'është kompetenca jonë"/ KLGJ rrëzon verifikimin e Irena Gjokës, shumica kërkon kalimin e çështjes te ILD

"S'është kompetenca jonë"/ KLGJ rrëzon

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur, me shumicë votash, të mos pranojë nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka.

Vendimi u mor pas diskutimeve brenda KLGJ-së, ku shumica e anëtarëve argumentuan se çështja nuk bie në kompetencat e drejtpërdrejta të këtij institucioni.

Sipas shumicës, rasti duhet t’i kalojë për shqyrtim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si organi përgjegjës për hetimin disiplinor të magjistratëve.

Ky qëndrim u mbështet me argumentin se vetëm ILD ka kompetencën ligjore për të verifikuar pretendime të tilla dhe për të ndërmarrë veprime konkrete.

Kujtojme që SPAK regjistroi një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e cila akuzohet se ka fshehur nga formulari i vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke për falsifikimin e një pasaporte dhe një vize në mesin e viteve 2000. Kallëzimi ishte depozituar në SPAK nga Adriana Kalaja.

Sipas SPAK, procedimi është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, por ende nuk është regjistruar ndonjë emër si person nën hetim.

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se i kishte dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë KLGj-së, që është organi kompetent që duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat, kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.