AKTUALITET, 30 Janar 2026, 12:03

Ceremonia/ U gjetën pas 14 vitesh mungesë, 10 ikona të vjedhura i rikthehen Kishës Ortodokse. Prezentë ministri Gonxhja dhe Kryepeshkopi Joan

Ceremonia/ U gjetën pas 14 vitesh mungesë, 10 ikona të vjedhura i

Dhjetë ikona me vlerë të jashtëzakonshme kombëtare, të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, i rikthehen Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Pas 14 vitesh mungesë, dhjetë ikona të vjedhura me vlera të jashtëzakonshme historike dhe shpirtërore i janë rikthyer Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti në një ceremoni zyrtare Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin Joan, për rikthimin e këtyre ikonave. Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhja vuri theksin te rëndësia jetike e regjistrimit të pasurive kulturore:
“Ky rikthim nuk është vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore. Regjistrimi mbetet mjeti i vetëm i besueshëm për identifikimin e origjinës së tyre në rastet kur ato rrezikojnë të trafikohen”.

Nga ana tjetër, Kryepeshkopi Joan shprehu mirënjohjen për angazhimin e institucioneve.

“Jemi të angazhuar për ta mbrojtur këtë kulturë, e cila është pjesë e identitetit tonë europian”.

Ikonat, të cilat i përkasin kishës monument kulture “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, kishin rënë pre e trafikimit vite më parë. Gjetja e tyre u bë e mundur falë një operacioni të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.