AKTUALITET, 8 Dhjetor 2022, 21:54

Sejamini: Goditja e Berishës i solli opozitës disa efekte pozitive, por nëse fillon protesta të dhunshme është vetëvrasje politike!

Sejamini: Goditja e Berishës i solli opozitës disa efekte pozitive,

Neritan Sejamini thotë se goditja e Berishës në 6 dhjetor ka sjellë disa përfitime për opozitën, duke thyer izolimin ndërkombëtar, pasi ngjarja u raportua në shumë media të huaja, madje bëri që të reagojnë edhe ambasada e SHBA-ve dhe e Britanisë së Madhe në Tiranë. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Sejamini deklaroi se ky imazh i opozitës, shkatërrohet nëse ata nisin protesta të dhunshme që synojnë marrjen e pushtetit, pasi sipas tij protestat nuk mund të çojnë asnjëherë në ndryshim të regjimit. 

"Një nga efektet ishte që PD çau çdo mur edhe jashtë. E bëri Berishën lajm në mediat ndërkombëtare. Ia theu këtë lloj izolimi. I dha PD-së diçka që kërkonte të arrinte prej një viti e ca. Ishte një akt që i dha vetëm efekte pozitive. Ishte një akt që në opinionin publik e ka rënduar mendimin për zotin Rama, si autokrat.

E dyta, ka krijuar një farë keqardhje për opozitën, dhe një farë mirësie për opozitën, që ndoshta mund të jetë më e mirë se mazhoranca. 

Që të gjithë këto ti shkatërrosh me protesta, do të ishte vetëvrasje politike. Gjëja e fundit që i duhet opozitës, janë protestat.

Bërja e protestave të dhunshme, çdo lloj propagande negative që ka për ta në Shqipëri dhe në opinionin ndërkombëtar, do të përforcohej. Mbi të gjitha protestat nuk çojnë gjëkundi.

Protestat nuk të sjellin në pushtet, nuk merret pushteti me protesta", deklaroi Sejamini.