AKTUALITET, 8 Dhjetor 2022, 21:30

Goditja e Berishës në protestë, Lorenc Vangjeli: Dy pistat idiote që përjashtojnë njëra-tjetrën

Goditja e Berishës në protestë, Lorenc Vangjeli: Dy pistat idiote

Analisti Lorenc Vangjeli, në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, i cilësoi si teori konspirative  pistat që po qarkullojnë për goditjen e Berishës nga një 31-vjeçar, gjatë protestës së 6 dhjetorit, ditën që po mbahej edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Vangjeli tha se Berisha nuk do ta donte një poshtërim të tillë, ndërsa Rama nuk do të donte ta ndante me askënd suksesin për organizimin e samitit në Tiranë. “Në një vend si Shqipëria ku dhunë dhe forcën e kemi kthyer gati në një fe zyrtare ku janë përdorur edhe plumba për të vrarë njerëz të politikës, ku Azem hajdari ka qenë viktima e një atentati të tillë, ku është përdorur druri dhe huri edhe ndaj Edi Ramës dhe vetëm fati e shpëtoi duke e lënë te të gjallët, kur gati e masakruan në ’97-ën, në këtë dritë është shumë herë sërish, përveçse kriminal, është dyfishi i tillë se është kundër liderit të opozitës, Jashtë këto ndodhin ndaj atyre që qeverisin dhe kanë diçka në dorë, por jo ndaj opozitës. Këto ditë, sipas zakonit tonë të vjetër, që përpara se të shikojmë ujkun, kërkojmë gjurmët, teoritë konspirative, ka dy teori që përjashtojnë njëra-tjetrën dhe janë njëra më idiote se tjetra.

E para nga maxhoranca që beson se Berisha i humbur, i izoluar dhe i pashpresë për të nesërmen e siguroi dhe e bëri një gjë të tillë, pra që ishin njerëzit e tij që e organizuan. Ndërkohë që e të të njëjtit rang është ajo që e shikon autorësinë e Edi Ramës pas këtij grushti kriminal ndaj liderit të opozitës dhe ne i njohim mirë këta dy personazhe prej 30 vjetësh. I pari Berisha, egoist deri në fund dhe karakteri i doktor Berishës do të pranonte më mirë plumbin se sa poshtërimin dhe, sipas psikologjisë së tij, gjaku që derdh është shumë herë më i fortë se plaga që mund të merrte nga plumbi. Po kështu edhe Edi Rama, egoist dhe vanitoz që nuk do ta ndante vëmendjen, dritat e prozhektorëve që kishin rënë të gjitha mbi të, shto këtu edhe diellin, që këtu në Tiranë e kemi veresie, nuk do ta ndante me askënd. Janë dy pista që përjashtojnë njëra tjetrën, ose është një rastësi fatale, ose janë veprime të aktorëve të tretë që ne nuk do të kemi mundësi kurrë t’i mësojmë”-u shpreh Vangjeli.