AKTUALITET, 3 Nëntor 2022, 22:44

"Sanaj u vra 30 metra nga shtëpia e Veliajt"/ Artan Hoxha: Atentati te Kodra e Diellit rrëzoi sigurinë në zonën më të sigurtë!

"Sanaj u vra 30 metra nga shtëpia e Veliajt"/ Artan Hoxha:

Artan Hoxha ka folur për atentatin te Kodra e Diellit, ku u vra Skerdilajd Sanaj, të cilin mediat i ngatërruan edhe emrin dhe e quajtën Briken Sanaj. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Hoxha tha se atentati ndaj Sanajt te Kodra e Diellit, ka ndodhur në zonën më të sigurtë në Tiranë, ku ka prezencë të gardës dhe policisë, për shkak se aty banon kryetari i Bashkisë së Tiranës, politikanë, biznesmenë, ish presidenti Meta dhe gazetarë. 

"Skerdilajd Sanaj dhe jo Briken Sanaj sepse edhe emrin ia ngatërruan. Është kujdesur të mos rrjedhë informacion për këtë ngjarje. U tha se u godit një person që përdor emrin Anton Gjini, por nuk ka lidhje fare. Ky informacion u mbajt diskret ndaj medias. Është goditur një nga zonat më të sigurta në kryeqytet.

Kur ndodhi shpërthimi përballë TEG, thamë se krimi po godet në zonat më të sigurta, afër resortit ku banojnë njerëzit më të rëndësishëm të këtij vendi. Te Kodra e Diellit nuk hyn dot, ka polici aty. Skerdilajdi është vrarë 30 metra nga shtëpia e Kryetarit të Bashkisë (Veliajt) dhe 50 metra nga shtëpia e ish presidentit, Ilir Meta. Ka shumë personazhe të politikës, biznesit, medias dhe të krimit, që banojnë atje.  Si ka mundësi, që vendi më i sigurtë, vajtën goditën brenda? Veliaj e shikon nga ballkoni aq afër e ka.

Kjo është një çështje në hetim, ende nuk ka një përgjigje. Ka gjetur një vend që nuk dukej, dukej vetëm tyta.

Autori është treguar shumë i kujdesshëm.  Ka goditur, është larguar. Makina u dogj afër Kasharit. Nga ky moment nuk ka asnjë gjë.

Sigurisht është atentat me kosto, që nuk e bën dot kushdo. Është atentat me kosto materiale. Qitësi tregoi se nuk ka qenë për herë të parë aty. Atje ka polici dhe gardë. Ai mund të godiste para se të hynte te Kodra e Diellit.

Ai ka eleminuar objektivin, por ka rrëzuar sigurinë e vendit më të siguritë në Tiranë.

Këtë vend e mbronte imazhi dhe emri. Nuk mbetet asnjë vend i sigurtë", tha Hoxha.