AKTUALITET, 31 Janar 2022, 13:38

Sali Berisha prezanton kandidatët për kryetarë bashkie që fituan në primare: Janë kandidatët e bazës!

Sali Berisha prezanton kandidatët për kryetarë bashkie që

Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp, bashkë me gjashtë kandidatët që fituan në primare dhe do të jenë kandidatë për kryetarë bashkie në zgjedhjet e pjesshme lokale. 

Berisha e quajti procesin historik, ndërsa shtoi se kandidatët janë produkt i bazës së Partisë Demokratike. 

"Dua të falenderoj anëtarët që me votën e tyre të lirë, bënë histori.

Ata sollën para jush, për herë të parë në historinë e plurazilmit politik, kandidatë të cilët janë propozuar, votëbesuar, përzgjedhur tërësisht nga anëtarësia e PD.

Këto janë primaret e para, në të cilën çdo kandidat është produkt dhe atribut i anëtarësisë dhe bazës së partisë.

Asnjëri nga këta zotërinj që shihni këtu, nuk janë kandidatë të Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në kuptimin statutor. Janë të propozuarit e bazës së partisë që kanë mbështetje totale të Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit.

Kjo i bën këto, primaret më demokratike, të zhvilluara në ndonjë vend.

Në këtë garë kanë marrë pjesë 21 kandidatura në Shkodër, Durrës, Peshkopi, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë. Këtu kemi gjashtë fituesit e garës, por siç duhet, falenderimin e parë do t’ju bëj anëtarëve që ushtruan të drejtën e votës dhe votuan për kandidatin që vlerësonin më të mirin", tha Berisha. 

Kandidatët fitues janë:

Bashkia Vorë- Lulzim Vrana
Bashkia Shkodër- Bardh Spahia
Bashkia Durrës- Ardian Muka
Bashkia Dibër- Premtim Kryemadhi
Bashkia Lushnjë- Elton Bano
Rrogozhinë- Hekuran Xhani