TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës dhe këshilltar ekonomik në Partinë Demokratike, Dorian Teliti, në një dalje për mediet sot në selinë e PD, bëri të ditur se qeveria ka vendosur të rrisë çmimet e referencës për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin, pa kryer asnjë konsultim publik me qytetarët dhe grupet e interesit.
Sipas Telitit, çmimet e referencës rriten ndjeshëm, madje në disa zona ato janë trefishuar, duke arritur deri në 2 mijë euro për metër katror.
“Të jini të qartë, se ky vendim i beftë nuk është thjesht një ndryshim me karakter teknik financiar. Është një akt i pastër politik që ka si synim të rrisë të ardhurat në buxhet përmes një formë të fshehtë të rritjes së taksave”, tha Teliti.
Teliti theksoi se me këtë vendim qeveria godet drejtpërdrejt qytetarët.
“Rritet menjëherë taksa e pronës së banesave. Bëhet më e kushtueshme blerja e një apartamenti si pasojë e rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rritjen e kostove të jetesës. Në vend që të përkrahen familjet që përpiqen me ndershmëri të ndërtojnë një të ardhme në vendin e tyre, qeveria ua vështirëson jetesën. Dhe e bën këtë në një kohë kur vendi vuan nga emigracioni masiv, rritja e çmimeve të shportës dhe pasiguria e lartë ekonomike”, u shpreh Teliti.
Teliti tha se opozita është tërësisht kundër kësaj padrejtësie.
“Nisur nga sa përmendëm më lart, Partia Demokratike kërkon: Anulimin e menjëhershëm të kësaj iniciative, duke mos ndryshuar çmimet e referencës së banesave. Realizimin e një reforme të thellë dhe të ndershme fiskale, me anë të një procesi konsultimi publik transparent me qytetarët, grupet e interesit dhe profesionistët e fushës, me qëllim uljen e barrës fiskale për familjet dhe sipërmarrjet shqiptare”, tha Teliti.