AKTUALITET, 26 Korrik 2025, 12:04

Ndërtimet pa leje, PD: Rasti i Thethit dhe Durrësit tregojnë standardin e dyfishtë të qeverisë

Ndërtimet pa leje, PD: Rasti i Thethit dhe Durrësit tregojnë

Partia Demokratike e ka cilësuar si “hipokrizi” dhe me “standard të dyfishtë” aksionin e qeverisë për çlirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje.

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli përmes një deklarate për mediet sot denoncoi sipas saj “veprimet arbitrare dhe të padrejta të qeverisë ndaj banorëve të Thethit” për shembjen e ndërtimeve pa leje.

“Përgjigjja shtetërore ndaj kësaj iniciative qytetare ishte një akt i dhunshëm, shembja e investimeve dhe mohimi i së drejtës për të zhvilluar jetesën dhe turizmin në zonat malore të Shqipërisë.

“Por për të kuptuar më mirë këtë akt të pastër hipokrizie, mjafton të zhvendosemi për pak në Durrës, diku në plazhin e Currilave”, tha Vangjeli.

Sipas Vangjelit, hoteli në “pronësi të familjarit të Ardian Iljazajt, me detyrë drejtor i Shërbimeve në bashkinë Durrës, lulëzon në mes të Durrësit, pa asnjë shqetësim nga IKMT apo organet e drejtësisë edhe pse ndërtimi është futur pothuaj brenda në det”.

“Ky është standardi i dyfishtë i qeverisë: qytetarët e zakonshëm, veçanërisht ata që nuk janë të lidhur me pushtetin, përndiqen dhe ndëshkohen: ndërsa klientela e qeverisë mbrohet dhe shpërblehet”, tha Vangjeli.

Vangjeli shtoi se PD ka denoncuar vazhdimisht ndërtimet “sidomos së fundmi lejet në këmbim të votave në zona si Spitallë, Porto Romano, Kënetë, Shën Vlash e të tjera në Durrës, por këto raste nuk janë objekt hetimi për SPAK, IKMT apo asnjë institucion tjetër”.