AKTUALITET, 26 Korrik 2025, 11:27

Operacioni “Turpi”/ Zbulohen dy apartamente të përshtatura për prostitucion, arrestohen 8 persona. Gratë e shfrytëzuara nga Kina dhe Brazili 

Operacioni “Turpi”/ Zbulohen dy apartamente të përshtatura

Pas disa javësh hetime me metoda proaktive, Policia e Elbasanit finalizoi operacionin e koduar “Shame”, (Turpi) duke zbuluar dy apartamente të marrë me qira të përshtatura për ushtrimin e prostitucionit.

Në pranga ranë 2 shtetas kinezë: K. Ch. (44 vjeç) dhe R. C. (38 vjeçe), të dy të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë 3 gra (kineze dhe braziliane) të moshave 23-52 vjeç për veprën penale “Prostitucioni”.

Policia kapi në apartamente edhe 3 shtetas shqiptarë (28-38 vjeç) që kishin paguar për favore seksuale, ndërsa 2 pronarë apartamentesh dhe një sanitare 19-vjeçare u proceduan penalisht për “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, dokumente personale, vula të dyshuara false dhe 10 celularë. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.