AKTUALITET, 8 Dhjetor 2022, 23:03

Rezultatet e primareve/ Abilekaj: PD nuk e ka marrë mesazhin se duhet të hapet me shoqërinë

Rezultatet e primareve/ Abilekaj: PD nuk e ka marrë mesazhin se duhet

Analisti Enton Abilekaj tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se Partia Demokratike nuk e ka marrë mesazhin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, kur doli parti e dytë, duke i krijuar mundësi PS-së që të marrë mandatin e tretë qeverisës radhazi. Abilekaj tha se kandidatura e doktor Ilir Alimehmetit ishte e tillë, që merrte edhe votat e shoqërisë.

“Ato që pamë në sondazhe në media dhe ato që pamë në rezultatet e PD-së tregon që ajo, pavarësisht se çfarë ka ndodhur që nga 25 prilli 2021, nuk e ka marrë mesazhin që duhet të hapet me shoqërinë, që nuk mund të fitojë zgjedhjet me këto figura që ka dhe që nuk mund të dalë në fushatë me të njëjtët emra, por me një kryetar të ri që mund të karikojë më shumë, por nuk mund të sigurojë fitoren. Nuk e fitoi gjithë PD, por e fitoi vetëm një pjesë, ajo që votoi për doktor Ilir Alimehmetin. Ata që votuan doktorin treguan se janë simpatizantë dhe militantë të PD-së që janë gati ta shohin partinë ndryshe, jo me të njëjtat figura, janë gati të afrohen me shoqërinë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje tjetër, sepse kjo që është sot është e pamjaftueshme dhe në këtë zgjidhje të pamjaftueshme ajo që ndodhi ditën kur u tërhoq doktor Alimehmeti, shpallja e tij si nënkryetar mua mu duk si tradhti e madhe. Unë isha shumë i revoltuar.

Belind Këlliçi është një politikan shumë i mirë, por ne që mbështetëm doktor Alimehmetin mendonim që një politikan që garonte nuk do të sillte asgjë të re. 25 prilli tregoi se politikanët e djathtë në garë janë të pamjaftueshëm dhe duhet të afrohet shoqëria që të shkojë te PD-ja. Ajo mbështetje për Alimehmetin, kur u bashkua me një politikan profesionist që do të na bëjë ofertën që kemi patur edhe para dy viteve, një viti apo 5 vitesh, ne menduam se këtu ka një tradhti. Shifrat tregojnë se më shumë se 73 për qind e PD-së mendojnë se kandidati duhet të ishte partiak dhe rezultati i balotazhit do të sillte një rezultat më të thellë për Belind Këlliçin dhe tërheqja ishte në momentin e duhur, tërheqje dinjitoze”-tha Abilekaj.