TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qyteti i Durrësit është zgjuar sot në një situatë të vështirë sa i përket situatës me përmbytjet pas reshjeve të dendura.
Prej orës 06:00 të mëngjesit, strukturat e Emergjencave Civile, Policia e Shtetit, grupet e punës të bashkisë Durrës janë në terren për të monitoruar situatën.
Ndërkohë mësohet se një familje është evakuuar nga zona e Konvaleshencës, pasi shtëpia e tyre u përmbyt dhe familja është sistemuar në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme në Plazhin e Durrësit.
Ndërkohë pritet të evakuohen edhe tre familje të tjera.
Mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të Durrësit për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe bllokimit të rrugëve.
Sipas Zyrës Vendore të Arsimit Durrës, prindërit dhe mësuesit janë njoftuar që të shmangin lëvizjet deri në qetësimin e situatës.
Aktualisht, mësimi po zhvillohet vetëm në katër shkolla. Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në qytetin e Durrësit, ndërsa tre të tjerat ndodhen në njësitë administrative. Konkretisht, mësimi vijon, sipas ZVA-së, në shkollën “Njazi Mastori” në Sukth, “Rexhep Mezini” në Ishëm dhe “Pren Simoni” në Draç.
ZVA Durrës bën me dije se vendimi është marrë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimor, ndërsa situata po monitorohet në vijimësi dhe mësimi do të rifillojë sapo kushtet të normalizohen.