AKTUALITET, 5 Janar 2026, 22:39

“Duket sikur ka një sabotim për ta rrëzuar Ramën”, Abilekaj dhe Tela reagojnë për dhunën policore ndaj protesuesve të Lapajt  

“Duket sikur ka një sabotim për ta rrëzuar

Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, ishte në një lidhje me emisionin “Të paekspozuarit” në MCN TV, pasi doli nga Spitali i Traumës ku u shtrua mbrëmë pasi u konfliktua me policinë.

Analistët Enton Abilekaj dhe Andi Tela, duke komentuar dhunën policore ndaj protestuesve, u shprehën se ndërhyrje të tilla tregojnë mungesë qetësie nga Edi Rama. 

Pjesë nga biseda

Enton Abilekaj: Prania e shpeshtë e policisë aty, tregon se nuk i pëlqen shumë që janë protestues aty. Pse duhet të shkojë policia aty të heqë ngrohëset me gaz nga bulevardi?

Këto janë përplasje që tregojnë zemërim, pak mungesë komoditeti nga qeveria. Një qeveri që nuk do t’ia dijë për ata që rrinë poshtë, siç tha Rama që ata kanë detyrë të rrinë aty, nuk ka arsye të merret me protestuesit që janë poshtë.

Mendoj se konteksti i protestave është ajo që e shqetëson qeverinë. Për numrin e protestuesve ka shumë njerëz skeptikë, por konteksti ku qeveria është përballë një përplasje me drejtësinë në dy çështje dhe po duket se Rama nuk e kontrollon dot këtë segment të drejtësisë. Duket sikur ka një organizim, një sabotim që po i bëhet qeverisë së tij për ta rrëzuar sa më shpejt. Në këtë kontekst ai nuk është i qetë dhe këto organizime tregojnë mungesë qetësie.

Andi Tela: Zoti Lapaj ka 1 muaj që qëndron atje. Ramës i shkon për shtat fakti që nuk ka shumë njerëz, por policia pse duhet të shfaqë këto forma agresiviteti me njerëz që qëndrojnë me dy ngrohëse gazi?

Pse shfaqin 20-30 policë agresivitet? Ata policë fare mirë mund të përdoren për t’i çuar te segmenti nga Përrenjasi në Elbasan ku dhjetëra mijëra njerëz heqin picirin për të lëvizur në një rrugë kombëtare.

Sheh 30 policë që shkojnë para Kryeministrisë për të mos prishur dekorin festiv të kryeministrit.

Pse tregohet agresivitet?

Nuk i gjej një arsye, që policia shkon, i merr me forcë, u merr mjetet e tyre.