AKTUALITET, 21 Prill 2025, 23:22

Redi Muçi: Partitë e vjetra po përdorin idetë dhe stilin e fushatës së “Lëvizja Bashkë”

Redi Muçi: Partitë e vjetra po përdorin idetë dhe stilin e

Kandidati për deputet i “Lëvizja Bashkë”, Redi Muçi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN tha se partia që përfaqëson është një alternativë e re që po ndryshon terrenin politik në Shqipëri.

Sipas tij, nisma si minimumi jetik dhe pensioni 200 euro, të propozuara nga “Lëvizja Bashkë”, po kopjohen nga partitë tradicionale, të cilat nuk i kanë marrë kurrë seriozisht. Ai theksoi se edhe pa qenë në pushtet, “Lëvizja Bashkë” ka arritur të diktojë temat kryesore të debatit publik dhe po vendos një standard të ri në politikë.

“Lëvizja Bashkë është një forcë e re që ka munguar në skenën politike shqiptare prej dekadash. Për herë të parë, kemi një program të qartë në mbështetje të shtresave në nevojë – diçka që partitë tradicionale nuk e kanë bërë kurrë seriozisht, as kur kanë qenë në opozitë.

Të dyja partitë e mëdha kanë premtuar politika sociale, por asnjëherë nuk i kanë zbatuar. Ne jemi të bindur se kur Lëvizja Bashkë të hyjë në parlament, të tjerët do të detyrohen të ndryshojnë, jo ne.

Shembuj konkretë: dy vite më parë mblodhëm 21 mijë firma për minimumin jetik dhe e çuam si projektligj në parlament. Sot, edhe figura si Sali Berisha apo parti të tjera e përmendin minimumin jetik, por pa e marrë seriozisht.

Ne kemi propozuar pension minimal prej 200 eurosh dhe kemi organizuar protesta për pensionistët. Kryeministri e përqeshi këtë ide, por sot vetë e përsërit.

Fushata jonë derë më derë me fletushka ishte një risi; tani edhe kundërshtarët tanë e kopjojnë këtë stil. Kur themi se na censuron media apo se punojmë me burime të kufizuara, të gjithë fillojnë të thonë të njëjtën gjë.

Edhe pa qenë në pushtet, kemi arritur të imponojmë gjuhën dhe temat tona në debatin politik. Ne besojmë se vetëm Lëvizja Bashkë mund t’i bëjë realitet këto ide, sepse të tjerët thjesht i përdorin për fushatë. Kjo tregon që jemi në rrugën e duhur dhe po vendosim një standard që të tjerët nuk arrijnë dot ta imitojnë."- tha Muçi.