AKTUALITET, 12 Prill 2023, 23:28

Reali dhe Milan fitojnë raundin e parë të çerekfinales së Ligës së Kampioneve

Reali dhe Milan fitojnë raundin e parë të çerekfinales

Real Madridi ka siguruar një fitore të pastër 2-0 ndaj Çelsit në ndeshjen e parë çerekfinale mes dy skuadrave në Ligën e Kampioneve.

Skuadra e Ançelotit ka siguruar fitoren që i nevojitej për të shkuar me në avantazh në ndeshjen e dytë, edhe pse mund të mbyllte që sot kualifikimin.

Përtej një starti të vrullshëm të miqve, ndeshja foli për skuadrën e Realt që dominoi në lojë e raste, pasi gjeti golin e parë me Benzema.

Madrilenët e kishin më të thjeshtë të luanin përballë miqve të cilët linin shumë hapësira, sidomos për Vinicius e Rodrigon.

Pikërisht një kundërzbritje e Rodrigos në pjesën e dytë solli edhe kartonin e kuq të Çilluell, i cili la skuadrën e tij me 10 futbollistë.

Kjo ia bëri më të thjeshtë punën Realit, që gjeti edhe golin e dytë me Asension, me lëvizjen e zakonshme të Ançelotit i cili ka spanjollin si “xholin” e tij në pankinë.

Çelsi u përpoq të reagonte në fund për një gol që do t’i jepte më shumë vlerë ndeshjes së kthimit.

Por mbrojtja e Realit kontrolloi gjithçka dhe vulosi një fitore 2-0 që i jep një avantazh të rëndësishëm kampionëve në fuqi për ndeshjen e kthimit në Angli.

Milan fiton me Napolin

Brahim Diaz fantastik, Benacer finalizues i saktë. Milani rrëmben një fitore që mund të vlejë shumë për kualifikimin drejt gjysmëfinales së Champions League ku shpreson në një derbi milanez.

Në “San Siro” kuqezinjtë fitojnë minimalisht me golin e pjesës së parë por i heqin Napolit edhe dy lojtarë të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit si Kim apo Anguissa, i pari që plotësoi numrin e kartonëve të verdhë dhe i dyti që ka skuadrën me 10 lojtarë në minutat e fundit.

Pa Osimhen në sulm dhe me Kvaratschkelia-n të izoluar, Napoli nuk tregoi asgjë nga paraqitjet e këtij sezoni duke rënë sërish në grackën e Milanit që pak ditë më parë e mundi edhe në shtëpi 4-0 por për llogari të kampionatit.

Në krahun tjetër, Diaz ishte frymëzuesi i vërtetë i skuadrës së Stefano Piolit që mund të kishte shënuar edhe më shumë se 1 gol nëse do të kishte pasur më shumë qetësi. Gjithsesi, me këtë rezultat, të dyja skuadrat do të shkojnë pothuajse në një përballje të hapur edhe të martën e ardhshme.