AKTUALITET, 12 Prill 2023, 22:07

Gazetari Syla e ironizoi si “mulla mercedesi”, Hoxhë Mazllami: Vetura është modeste, nëse dikush ma fal një helikopter unë do ta merrja

Gazetari Syla e ironizoi si “mulla mercedesi”, Hoxhë Mazllami:
Hoxha nga Prizreni, Mazllam Mazllami

Hoxhës nga Prizreni, Mazllam Mazllami, ditë më parë i është bërë një dhuratë nga xhemati i tij në rastin e pensionimit, duke i blerë veturë të tipit Mercedes, në vlerë rreth 15 mijë euro.

Mazllami i ftuar në DebatPlus, ka thënë se vetura është modeste, duke shtuar se nëse dikush do t’ia falte edhe ndonjë helikopter, ai do ta merrte.

“Jam punëtor i BIK që 34 vjet në Prizren. Merrem me Islam mbi 40 vite.  Pasi po iku në pension, ka qenë hedije prej shokëve e miqve, të cilëve ju ka ra ndërmend të bëjnë një surprizë makinë modeste, ajo është modeste sepse është e vjetër, nuk është e re”, u shpreh ai.

Gazetari Valon Syla përmes një videoje ironizoi në llogarinë e tij në Facebook, duke e quajtur hoxhën në fjalë “mulla mercedesi”.

Por që pas kësaj deklarate, Syla është sulmuar nga disa persona, duke i shkaktuar lëndime në kokë.

Hoxhë Mazllami ka thënë se ky veprim në Islam është haram, sidomos në Ramazan.

“Me keqardhje, nuk i përdor rrjetet sociale, nuk kam dëgjuar për këtë rast. Por në Islam nuk mund të lejohen veprime të tilla, sidomos në agjërim, në Ramazan, është haram”, u shpreh Mazllami.