AKTUALITET, 24 Prill 2023, 21:14

"Rama u drejtohet në fushatë atyre që shohin Big Brother!"/ Sejamini: PS, ndryshe nga opozita, po bën fushatë efikase

"Rama u drejtohet në fushatë atyre që shohin Big

Neritan Sejamini e konsideron fushatën e Edi Ramës për zgjedhjet lokale të 14 majit, si "fushatë perfekte", sepse arrin të ndikojë masën emocionalisht. 

Sejamini tha se fushatat bëhen për të ndikuar elektoratin gri dhe se kjo mund të realizohet duke i ndikuar njerëzit emocionalisht, gjë të cilën sipas analistit, PS po e bën më së miri, ndryshe nga opozita. 

"Ne gabojmë kur mendojmë se fushatat janë aktivitete intelektuale apo aktivitete për të bërë drejtësi. Në fakt ato kanë vetëm një qëllim, të fitojnë votat.

Votuesit ndahen në tre grupe, të tutë, të kundërshtarit dhe votuesit gri që duhen bërë për vete.

Fushata e zotit Rama mund të jetë pa shije, mund të ofendojë shijet estetike dhe intelektuale, por është fushatë efikase dhe e duhur, sepse i drejtohet atij elektorati që sheh edhe Big Brother. Me këtë elektorat, ai flet me gjuhën e duhur, duke u munduar ta joshë.

Duke bërë këtë fushatë, ai po largon seriozitetin nga fushata, për të mos folur për ato gjëra që nuk ka bërë.

E treta, ai do që fushata të mos jetë referendum për kandidatët e vetë. Ai do që fushata të jetë një zgjedhje midis atij dhe nga ana tjetër, Berishës dhe Metës, duke gjykuar që kjo do ta favorizojë, duke u nisur nga fakti që është politikan më popullor se ata.

Nga pikapamja e organizimit është fushatë perfekte dhe efikase, gjë që nuk mund ta them për fushatën e opozitës", deklaroi Sejamini.