AKTUALITET, 24 Prill 2023, 17:40

Pa diplomë gjimnazi? Mediat akuzojnë Belind Këlliçin për mashtrim. Ja si përgjigjet kandidati për Tiranën

Pa diplomë gjimnazi? Mediat akuzojnë Belind Këlliçin

Teksa kanë mbetur tre javë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, tensionet siç duket janë shtuar mes kandidatëve në garë. E mes shumë akuzave dhe kundërpërgjigjeve, mediat akuzojnë kandidatin për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’ për Tiranën, Belind Këlliçi se nuk disponon diplomë të shkollës së mesme.   

Njëra prej tyre, Shqiptarja.com u kthye vite pas, në 2005-n, kur Këlliçi ishte ende adoleshent dhe nisi të hetonte deftesën e tij të shkollës së mesme.

Pas hetimeve, më 22 prill u publikua një artikull, në të cilin pretendohej se përmes një shkrese të lëshuar nga instituti “Harry Fultz”, ku dhe është arsimuar kandidati opozitar, Këlliçi nuk kishte arritur të diplomohej. Kjo, pasi në shkresën në fjalë thuhet se Këlliçi ka përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes.

Duke iu referuar këtij rasti, Shqiptarja.com ngre pikëpyetjen: Si mundej që dikush kishte arritur të mashtronte sistemin, duke gënjyer fillimisht shtetin amerikan të Maryland (ku ndodhet Coppin University), e më pas edhe shtetin shqiptar? A ka diplomë të shkollës së mesme Belind Këlliçi dhe a e ka mashtruar ai shtetin amerikan të Maryland, për t’u regjistruar në ‘Coppin University’, e më pas, edhe shtetin shqiptar për të kryer njësimin e diplomës?

“Iu drejtuam zyrtarisht dhe morëm përgjigje me një shkresë (kopje të së cilës e disponojmë), e cila shprehet se në regjistrat e maturës shtetërore nuk gjendet emri i Këlliçit. Që do të thotë se Belind Këlliçi nuk është futur në provimet e Maturës Shtetërore, e për rrjedhojë nuk mund të jetë pajisur kurrsesi me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme. Kjo konfirmohet edhe nga numri i amzës së shkollës së mesme, me anë të së cilës vërtetohet se ai nuk e ka mbaruar ciklin e plotë 5 vjeçar, pasi në regjistër ka një shënim ku thuhet “është larguar jashtë shtetit” në vitin 2004-2005. Por, skandali thellohet edhe më shumë kur, nga përgjigja zyrtare që kemi marrë nga Ministria e Arsimit, vërtetohet se Belind Këlliçi ka kryer njësim të paligjshëm të diplomës universitare, pas kthimit nga SHBA. Kjo ka ndodhur në vitin 2010 kur Ministria e Arsimit drejtohej nga qeveria e Sali Berishës dhe nuk dihet nëse dikush ka mbyllur një sy apo Këlliçi ka mundur që të mashtrojë komisionin, njësoj siç bëri edhe me universitetin amerikan,”- thuhet mes të tjerash në artikull.

Nga ana tjetër, Belind Këlliçi ka mohuar kategorikisht akuzat që rënduan ndaj tij, ndërsa sqaroi se media në fjalë ka lexuar vetëm disa rreshta të shkresës së dërguar nga instituti ‘Harry Fultz’.

“Ka pafund njerëz që kanë qenë me mua, edhe më njohin, edhe e dinë se çfarë lloj nxënësi kam qenë. Gjithsesi, në lajmin e bërë një ditë më parë në Report TV, nuk e kuptoj pse duhet të censurohej kjo letër, pse duhej një lajm çerek i vërtetë, pse duhej nxjerrë  vetëm tre rreshtat e para. Ja ta lexoj ‘Zoti Këlliçi ka kryer katër vite studim të ciklit 5-vjeçar në shkollën tonë, me drejtimin biznes, Gjatë këtyre viteve ka një vlerësim me notën mesatare 9.7’. Janë mërzitur këta se janë mësuar, e kanë kryeparlamentaren me 5.6. I ka ngel kunj. Më pas nuk kishte më asnjë fjalë, ishte e gjithë shkresa blur. Ndërkohë shkresa vazhdon, ‘i klasifikuar në 5% të studentëve më të mirë’. Më pas qartësohet, ‘në vitin shkollor 2004-2005 e zgjodhi si president të këshillit studentor’. Në përfundim të klasës 12, siç e kërkon dhe ligji, 8 + 4. Maturë s’ka pasur, unë kam qenë në vitin 2005, ndërsa matura ka hyrë në vitin 2006. Këta më kërkojnë të jem në një sistem që ‘ska ekzistuar. Vijon shkresa ‘në përgjigje të kërkesës së tij për studime të mëtejshme në SHBA, pajiset me dokumentet e mëposhtme, raportin shkollor me rezultatet për katër vite, skelet-kurrikulën 2001-2005 dhe programet mësimore të detajuara, sepse duhet të dinë çfarë lëndësh ke bërë dhe vërtetimin tip që sqaron në lidhje me zhvillimin në gjuhën angleze të 70% të lëndëve mësimore. për dijeninë tuaj, vijon përgjigja, kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar të periudhës 19997-2005, viti i fundit me dëftesë, të cilët pas shkollimit këtu kanë ndjekur studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuara, bazuar në kreditet,”- tha Këlliçi.

Ai ka sqaruar mes të tjerash dhe procedurën për t’u pranuar në Universitetin shtetëror të Marylend-it.

“Procesi i pranimit në Universitetin shtetëror të Marylend-it, është shumë serioz. Në Universitetin e Marylend-it, nuk ka asgjë të ngjashme me “Kinema Baldushkun” e Erjon Veliajt, dhe nuk blihet një pishë me 5 mijë euro. Belind Kelliçi është pranuar, ka dhënë të gjitha provimet e standardizuara që kërkon procesi, ka marrë bursë, ka pasur rezultate të shkëlqyera, ka marrë 123 kredite, nga 120 që kërkon ligji atje, ka marrë medalje, është diplomuar me titullin “Suma Kam Laudi” dhe është shpallur Studenti me mesataren më të lartë në diplomim,”- thuhet në deklaratën e Këlliçit.

DEKLARATA E KELLIÇIT:

Erjon Veliaj i cili në 8 vite la 160 mijë banorë të Tiranës, të zonës së Astirit, Liqenit të Thatë, Kodrës së Priftit, pa një çerdhe, pa një kopësht, pa një shkollë. Erjon Veliaj që arsimin e kupton si një mundësi të mirë për tender, pasi jep për një godinë 3 herë më shumë para’ se sa Bashkimi Europian. Erjon Veliaj që ka mbledhur 41 milionë euro nga taksa e infrastrukturës për arsimin, dhe nuk tregon se ku kanë shkuar këto para të qytetarëve të Tiranës. Erjon Veliaj që një ambient të destinuar për shkollë ia hoqi qytetarëve të Tiranës dhe ia dha Bolinos, medias me të cilën fabrikon shpifjet e sulmet për interes të tij, medias që financohet edhe nga inceneratorët. Ky, kryebashkiak pra, po gërmon së fundmi për shkollimin e Belind Këlliçit, dhe ka furnizuar mediat e tij me spekullime të ulëta. Këtë komunikim po e bëjmë për qytetarët. Kjo shkresë e Harri Fultz, tregon se Belind Këlliçi ka qënë nxënësi me mesataren 9.7 dhe nisur nga këto rezultate është zgjedhur dhe President i Këshillit Studentor ne vitin 2004.  Shkresa e shkollës, tregon se si në shumë raste të tjera, si një praktikë që e kanë ndjekur shumë nxënës për të vijuar studimet në SHBA, në Britani, apo Çeki, edhe në rastin e Belind Kelliçit, kjo ka ndodhur pas 4 viteve.

Procesi i pranimit në Universitetin shtetëror të Marylend-it, është shumë serioz. Në Universitetin e Marylend-it, nuk ka asgjë të ngjashme me “Kinema Baldushkun” e Erjon Veliajt, dhe nuk blihet një pishë me 5 mijë euro. Belind Kelliçi është pranuar, ka dhënë të gjitha provimet e standardizuara që kërkon procesi, ka marrë bursë, ka pasur rezultate të shkëlqyera, ka marrë 123 kredite, nga 120 që kërkon ligji atje, ka marrë medalje, është diplomuar me titullin “Suma Kam Laudi” dhe është shpallur Studenti me mesataren më të lartë në diplomim.  Duke parë se njerëzit po reagojnë, se njerëzit e duan ndryshimin. Duke parë se nuk ka bilanc dhe se në 8 vite ka keqqeverisur dhe ka abuzuar me buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë ndonjë bashki, Erjon Veliaj në këto kushte është gati të sulmojë edhe Shkollën “Harry Fultz”, edhe Universitetin e Marylend-it. Asgjë nga këto nuk i shërbejnë qytetit dhe banorëve të Tiranës. Belind Këlliçi është i vendosur në rrugën e tij që sjell ndryshimin. Është i vendosur të realizojë projektin me 5 prioritetet kyçe që sjellin zbutjen e kostos së jetesës për qytetarët e Tiranës.