AKTUALITET, 24 Prill 2023, 17:27

Forumi i biznesit, Ibrahimaj: 1200 vende të lira pune nga 35 kompani pjesëmarrëse në panair

Forumi i biznesit, Ibrahimaj: 1200 vende të lira pune nga 35 kompani

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi 5 kompani ofrojnë 1200 vende te lira pune. Nga forumi i biznesit Ibrahimaj tha se, ky organizim do të shërbejë si platformë për punën e bërë, por edhe për të ndarë sfidat e përbashkëta të një trinomi që më shumë se kurrë është bërë dhe është kthyer në kryefjalën e diskutimeve të zhvillimit ekonomik, siç është klima e biznesit, produktivitetit dhe kapitalit njerëzor.

“Ne jemi duke jetuar në një botë pa kufij. Kapitali njerëzor qarkullon në mënyrë të vrullshme. Koncepti i punës ka ndryshuar rrënjësisht ku zhvillimet e teknologjisë po ndikojnë që sipërmarrjet të synojnë rritjen dhe modelet e qëndrueshme të rritjes. Rritjes së produktivitetit, por edhe të zhvillimit të kapitalit njerëzor, që kërkojnë strategji afatgjata të mbështetura në ekonominë e dijes. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga këto zhvillime dhe ndaj ne jemi duke punuar fort për të adresuar të gjitha sfidat, si edhe për të krijuar një model të ri ekonomik që mbështet tranzicionin e gjelbër, digjitalizimin, krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e ‘start up’-eve dhe kryesisht të ‘start up’-eve inovative, por edhe integrimin me ekosistemet ndërkombëtare. Për këto duhet që të ndërhyjmë, që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm, duke punuar për të krijuar aftësitë e nevojshme, për të nxitur të rinjtë drejt edukimit. Edukimi është një sfidë pasi më zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin teknologjik nevoja për dije vjen gjithmonë duke u rritur, pra duhet të kemi njerëz të aftë dhe të trajnuar, të aftë për t’iu përgjigjur konteksteve digjitale në ekonomi. Nuk mjafton më që ne t’i aftësojmë për aftësi teknike dhe specifike. Ne duhet t’i aftësojmë të rinjtë për ndryshimin”, tha ajo.

Ibrahimaj shtoi se, ne si qeveri, përmes angazhimit tonë, duhet të hartojmë politika që synojnë krijimin e një mjedisi të favorshëm, ku bizneset të rriten dhe të gjejnë tregje të reja dhe të aftësojnë më tej kapitalin e tyre njerëzor që ai të mos largohet, por të mbetet  investimi më i rëndësishëm që bizneset mund të bëjnë”.

“Ndaj ne kemi vendosur që ketë forum kaq të rëndësishme ta ndërthurim me panairin e punës dhe të aftësive. Një mundësi e shkëlqyer që punëdhënësit të ndërveprojnë me punëkërkuesin, të eksplorojnë mundësitë për zhvillimin e aftësive dhe të karrierës së tyre. Janë mbi 1200 vende të lira pune që po paraqiten në këtë panair nga 35 kompani, ku 15 prej tyre janë kompani të huaja. Oferta e punës nuk mund të shihet vetëm këtu, por të gjithë  punëkërkuesit mund të drejtohen përmes portalit E-albania, portalit puna.gov.al, ku aktualisht ka 3300 vende pune të raportuara. Megjithatë po punojmë vënien në dispozicion dhe përdorim të inteligjencës artificiale për të digjitalizuar të gjitha shërbimet e tregut të punës dhe për të krijuar dritare unike për të papunët, për punëkërkuesit, por edhe për emigrantët që kthehen në atdhe”, tha Ibrahimaj.

Ministrja shtoi se, “bizneset sot në këtë panair pune dhe aftësish janë shembulli më i mirë sesi sipërmarrja është transformuar, sesi kompanitë po zhvillohen dhe po gjejnë rrugët për të qenë sa më konkurruese në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, në sektor si teknologjia, industria, por edhe shërbimet. Pagat mesatare janë 110 mijë lekë”.

Ajo tha se, “modeli i ri ekonomik që ne synojmë të zhvillojmë është ai i kalimit nga avantazhi i krahut të lirë të punës, tek rritja e aftësive dhe e njohurive duke u mbështetur në ridimesionimin total të arsimit profesional”.

“Ne kemi filluar një reformë madhore të pagave, e cila filloi me rritjen e pagës minimale që prej viti të kaluar si një nevojë dhe domosdoshmëri. Por ndërkohë, duke bërë analiza të thelluara të sektorëve dhe ndikimit që kjo pagë minimale do të kishte në produktivitetin e kompanive, ne në bashkëpunim me biznesin arritëm rezultatin se paga mesatare mund të ishte më e lartë. Bashkë me pagën minimale kemi filluar një politikë të rritjes së pagave në të gjithë administratën publike, e cila do të tërheqë më shumë produktivitet në administratën publike, por do të ndikojë edhe në pagat në të gjithë sektorin privat. Këtë e kemi diskutuar gjatë dhe rezultati është një dhe i vetëm. Ne do të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që produktiviteti i biznesit privat të rritet. Kjo është dhe arsyeja pse Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar për të hartuar një politikë industriale, e cila do të kanalizojë mbështetjen buxhetore drejtë atyre sektorëve që janë më produktive, atyre që sjellin rritje ekonomike. Shumë është bërë për uljen e kostos së biznesit. Ne prej vitesh tashmë po punojmë për të ndërtuar një infrastrukturë, me qëllim që kosto e biznesit të jenë sa më të ulëta, sidomos ato që lidhen me transportin. Por nuk mjafton, është e rëndësishme të investojmë në digjitalizim që proceset e punës të jenë sa  më pak me kosto dhe të përdorin sa më shumë kapital njerëzor me dije”, tha ajo.