AKTUALITET, 24 Prill 2023, 18:22

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në, nuk e çregjistron Ismailajn. I hapet rruga kandidatit të PS-së të vijojë garën për Mallakastrën

Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në, nuk e çregjistron Ismailajn. I

Pavarësisht akuzave dhe kërkesave për ndalimin e pjesëmarrjes së tij në garën e 14 majit, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Mallakastrës, Qerim Ismailaj do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Mësohet se Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar sot kërkesën e Partisë Demokratike, duke lënë përfundimisht të hapur rrugën për Ismailajn.

Demokratët kërkuan që Ismailaj duhet të çregjistrohej pasi ishte dënuar me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh dhe duhet ta kapte rrjeta e dekriminalizimit. Nga ana tjetër socialistët pohuan se ky dënim ishte konvertuar në orë pune publike dhe kandidati i saj nuk përplasej me ligjin.

Ismailaj u dënua me kërkesë të SPAK, pasi akuzohet se kishte fshehur një dënim në Greqi për rrahje, gjatë kohës që kishte qenë emigrant në këtë shtet. Ai u dënua në muajin shkurt nga GJKKO me 6 muaj burg, dënim që iu konvertua me 40 orë pune për interes publik, me akuzën për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.