AKTUALITET, 8 Prill 2023, 17:36

"Rama si Vuçiç, kërkon të largojë vëmendjen", Kryemadhi flet për akuzat për paratë ruse: Ka kontraktuar ekspertë izraelitë, do i drejtohem prokurorisë

"Rama si Vuçiç, kërkon të largojë

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur sot për çështjen e parave ruse për të cilën ajo akuzohet.

Kryemadhi tha se do i drejtohet prokurorisë, teksa deklaroi se këto akuza janë të planifikuara nga kryeministri Edi Rama, për të hequr vëmendjen nga skandalet e qeverisë. Ajo e krahasoi Ramën me Vuçiç.

“Ata do të paguajnë mercenarë që të dalin në media dhe të marrin kohë për këtë çështje. Më ka dhënë një mundësi shumë të madhe për të qenë më tepër në media dhe për t’u artikuluar më shumë. Opinioni publik e kupton shumë mirë se çfarë është dhe pse është bërë. Unë do i drejtohem prokurorisë dhe gjykatës për këtë çështje.

Lufta nuk bëhet më me armë, bëhet me viruse, siç ndodhi që u izolua bota nga Covid, si dhe me Fake News. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në Beograd. Vuçiç kishte përballë ish-kryebashkiakun e Beogradit dhe bëri të njëjtën gjë kundrejt tij, kontraktoi një ekspert izraelit për të bërë dezinformim kundër tij", tha Kryemadhi në News24.

Ajo theksoi se Rama ka kontraktuar një ekspert izraelit për këtë çështje.

"Nga të dhënat që unë kam bërë del që është kontraktuar një ekspert irzaelit për të më sulmuar. Për mua është një lajm vere. Mamaja ime meqënëse ka qenë pjesë e administratës, ka pasur një kulturë të mbajtjes së dokumentacionit. Përsa i përket llogarive bankare, Monika Kryemadhi dhe familjarët e saj nuk kanë pasur kurrë llogari jashtë shtetit, aq më tepër që të lidhen me oligarkë rusë. Kryemadhi ka vetëm llogari bankare në Credins Bank, për të cilat gjithçka është publike”, u shpreh deputetja.