AKTUALITET, 8 Prill 2023, 16:37

Shkurtoi shpenzimet e fushatës për të mbjellë pemë/ “I dashur Bardh...”, Rama letër kryebashkiakut të Shkodrës: Prano donacionin e PS

Shkurtoi shpenzimet e fushatës për të mbjellë pemë/

Teksa dje u bë e ditur lëvizja e Partisë Socialiste, e cila deklaroi dje përmes Damian Gjiknurit se kishin hequr dorë nga fushatat e mëdha dhe se me këto lekë do të mbillnin pemë, kryeministri Rama sot ka kontaktuar me kryebashkiakët. Kreu i qeverisë i ka dërguar një letër dhe kryebashkiakut të Shkodrës, nga radhët e PD-së, Bardh Spahia, ku i kërkon që të vihet me një kontakt për të përfituar nga ky donacion i PS.

Letra në fjalë mban firmën e kryesocialistit, ndërsa i caktohet si detyrë Spahisë dhe të tjerëve, që të vendosin zonat se ku do të mbillen këto pemë.

“I dashur Bardh, Partia Socialiste ka vendosur që një pjesë të buxhetit të saj elektoral, ta shpenzojë jo për materiale propagandistike për fushatën e 14 majit, por për t’i dhuruar pemë bashkive të vendit tonë, duke ulur kështu sadopak ndotjen e fushatës zgjedhore dhe duke lënë pas për komunitetet sadopak oksigjen më shumë. Duke shpresuar që do e pranoni donacionin e  Partisë Socialiste, ju lutem të na vini në dispozicion një kontakt pune. Ju faleminderit paraprakisht, Edi Rama,”- ka shkruar Rama.

Këtë vit, kreu i qeverisë është shprehur se do të shpenzojë vetëm gjysmën e parave të fushatës elektorale, ndërkohë që pjesa tjetër do të shkojë për mbjelljen e pemëve të reja.