AKTUALITET, 11 Prill 2022, 19:34

Rama nga Berlini: Turqinë e kemi aleat strategjik, ndërsa me Rusinë dhe Kinën s’kemi marrëdhënie

Rama nga Berlini: Turqinë e kemi aleat strategjik, ndërsa me

Kryeministri Edi Rama komentoi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz, ndikimet e vendeve të treta si Rusia, Kina dhe Turqia në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht në Shqipëri.

Shefi i qeverisë u shpreh se Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme me Kinën apo me Rusinë, ku theksoi se investimet e këtyre vendeve në Shqipëri janë pothuajse inekzistente.

Rama nga ana tjetër e diferencoi Turqinë duke e quajtur aleat strategjik të Shqipërisë dhe jo influncë të një vendi të tretë në Ballkan.

“Për sa i përket aktorëve apo palëve të treta me ndikim në Ballkanin Perëndimor do të thosha se nuk janë njësoj dhe nuk duhet të kemi shqetësime nga ndikimi i vendeve të treta në të njëjtën mënyrë.

Natyrisht ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, sidomos në ditët e sotme, ç’ka e bën më të nevojshëm aktivizimin më intensiv të Bashkimit Evropian për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vendet.

Ndërkohë që Kina është një vend i cili ka synimin e vet të deklaruar në të gjithë Evropën Lindore, ka dhe një format të quajtura formati 17 plus 1 që është një projekt investimesh.

Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie të posaçme as me njërën, as me tjetrën. Niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, ai i Kinës është minimal në raport me vendet e tjera.

Ndërsa për sa i përket Turqisë. Turqia nuk është një aktor i tretë, por është një partner strategjik. Në kënvështrimin tim Turqia është një valvul sigurie për të gjithë Evropën”, tha Rama.