TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama mbylli sot fushatën elektorale në Durrës, ku kërkoi mbështetje për kandidatët e PS-së për kryetarë në bashkitë e këtij qarku.
Në takimin përmbyllës elektoral, Rama vlerësoi se takimi në Durrës ishte më i madhi dhe më i jashtëzakonshmi.
“Durrsakët nuk janë aq të mitingjeve dhe momenteve përmbyllëse, kur realisht i vihet qershia mbi tortë një fushate elektorale, por jam i bindur 1000 % se të gjithë ata që po ndjekin këtë takim nuk po e besojnë dot se po ndodh në Durrës”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se në Durrës kemi fatin të kemi një skuadër të jashtëzakonshme të PS-së, ndërsa vlerësoi edhe kryetarët e bashkive Durrës, Shijak e Krujë, ku, sipas tij, është bërë një punë e jashtëzakonshme.
“Sot ne hyjmë në një fazë tjetër, sepse Durrësi, Shijaku e Kruja vërtet janë 3 bashki, por është e domosdoshme të ndërveprojnë më tepër me njëra-tjetrën, sepse oferta turistike e tyre e ka të domosdoshme këtë. Kujt do t’i shkonte mendja që edhe Shijaku do hynte në ofertën turistike të qarkut të Durrësit?”, tha Rama.
Ndërkaq, Rama shprehu bindjen se nuk ka 1 km katror të Shqipërisë që nuk ka potencial për të zhvilluar turizmin. Rama tha se Durrësi është lokomotiva e transformimit ekonomik të Shqipërisë.
“Durrësi është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, një kapitulli tjetër, një momenti tjetër historik të zhvillimit tonë ekonomik. Më në fund, pas shumë përpjekjesh është vendosur baza, por janë lidhur edhe gjërat bashkë”, tha Rama.
Ai theksoi se me portin e ri turistik, portin e ri tregtar në Porto Romano dhe hekurudhën e re Durrësi bëhet një pikë lidhëse jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë hapësirën e rajonit tonë.
“Durrësi do të rikthehet në historinë e vet të vjetër e të largët të asaj porte kryesore të Adriatikut që romakët e përdorën për të hyrë e shtrirë në territore të tjera”, tha Rama.