AKTUALITET, 12 Maj 2023, 16:33

Kursi i këmbimit dhe forcimi i monedhës vendase, BSH: Euro ka rënë me 3% gjatë këtij viti

Kursi i këmbimit dhe forcimi i monedhës vendase, BSH: Euro ka

Monedha evropiane është zhvlerësuar ndjeshëm në dy javët e para muajit maj të këtij viti, në raport me lekun. Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 3 %, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i euros ka arritur në 8.1 %. Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ecuria e kursit të këmbimit kundrejt euros është reflektim i ofertës se shtuar të valutës në tregun e brendshëm financiar.

Sipas BSH-së, ajo është diktuar nga përmirësimi i bilancit të pagesave si rrjedhojë e prurjeve të larta valutore, të cilat vlerësohet të jenë të pranishme edhe në muajt e parë të këtij viti. BSH-ja vëren se, luhatshmëria e kursit euro/lek, ashtu edhe spread-i mes çmimit të kuotuar në shitje dhe atij në blerje, kanë qenë pranë vlerave normale të tyre. Ecurinë mbiçmuese të lekut e përkrah edhe zgjerimi i diferencës pozitive mes normës së kthimit të fondeve në lekë dhe asaj në euro në tregun vendas.